Ndërlidhjet

Dritë jeshile Kosovës për MSA-në?

  • RFE /RL

Këshilli i Ministravë të BE-së jep dritën jeshile Kosovës për fillimin e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Draft-rezoluta e Këshillit të Ministrave të BE-së, që ka parë Radio Evropa e Lirë, shkruan se “Kosova është e gatshme të nis negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe pa paragjykim për pozitën e vendeve anëtare ndaj statusit [të Kosovës], miraton vendimin për autorizimin e hapjes së negociatave”.

Shefat e diplomacive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të vlerësojnë sot në Luksemburg progresin e arritur në bisedimet Kosovë-Serbi, dhe nivelin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

Po ashtu edhe kjo draft-rezolutë duhet të miratohet nga ministrat e jashtëm të BE-së, që pritet ta shtjellojnë të martën.

Më pas, rezoluta do t’i dërgohet si rekomandim Këshillit Evropian për të formalizuar hapat e mëtejmë gjatë mbledhjes më 27 dhe 28 qershor në Bruksel.

Gjermania njeh progresin që Kosova dhe Serbia kanë arritur në saje të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, që ishte vënë si kusht për integrimet e mëtejme të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg se Prishtinës dhe Beogradit u duhet njohur rezultatin e punës që kanë bërë në muajt e fundit për relaksimin e raporteve.

“Dua të them në mënyrë eksplicite, se Serbia por edhe Kosova, së fundi kanë treguar gatishmëri dhe energji, por edhe forcë për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit [të raporteve]”, tha ai.

U duhet njohur këtë [progres]. Ne mund të themi se Serbia dhe Kosova kanë bërë shumë përpjekje për të zbatuar në terren, atë që është vendosur në nivelin politik. Dhe unë dua ta njoh në mënyrë eksplicite këtë gjë”, u tha medieve shefi i diplomacisë gjermane Westerwelle para nisjes së takimit me homologët e tij evropian.

Draft-rezoluta e Këshillit të Ministrave të BE-së, që ka parë Radio Evropa e Lirë, rekomandon që Serbia të nisë negociatat për anëtarësim.

Pas takimit të 27 dhe 28 qershorit, dhe rekomandimeve që do të nxirret aty, draft-rezoluta shkruan se “takimi i parë ndër-qevetar me Serbinë të mbahet më së voni në Dhjetor 2013

Por si Kosova ashtu edhe Serbia, vazhdojnë të kenë njëra-tjetrën kusht për ecjen e mëtejme përpara në integrimet evropiane.

Këshilli nënvizon se përmirësimi i vazhdueshëm i raporteve të qëndrueshme dhe të prekshme mes Serbisë dhe Kosovës, është i nevojshëm që të dyja vendet të mund të ecin drejt rrugës së tyre evropiane, përderisa shmangen nga pengimi i përpjekjeve të tjetrit".

"Në këtë kontekst, Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë {Catherine Ashton] ftohen që të vazhdojnë t’i raportojnë Këshillit për progresin e Serbisë/Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe planit të zbatimit të saj”, shkruan draft-rezoluta që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Se gjasat janë të mëdha që kjo draft-rezolutë do të miratohet e pandryshuar, sugjeron edhe ministri i jashtëm i Suedisë Carl Bildt.

Para fillimit të takimit në Luksemburg, ai i tha medieve se nuk ka asgjë të paqartë në progresin që kanë arritur Prishtina dhe Beogradi, në përmbushjen e kushteve që ua ka parashtruar Bashkimi Evropian për të relaksuar raportet.

Mendoj se faktet janë goxha të qarta në këtë rast. Ne u kemi thënë se ata duhet të arrijnë disa gjëra specifike, dhe ata i kryen këto punë. Dhe kjo është e vërtet si në rastin e Serbisë ashtu edhe Kosovës, andaj është e rëndësishme që ne t’i përmbahemi pjesës sonë të marrëveshjes”, tha Bildt.

Në Beograd ndërkaq zëvëndëskryeministri Alleksandar Vuçiq deklaro se Serbia pret që të merr datën konkrete për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Gjatë një interviste për B92, zëvendësi i parë i qeverisë së Serbisë tha se ditët ne vijim janë tejet të rëndësishme për këtë vendim të BE-së, ndërsa parlamenti gjerman pritet të merr vendim për këtë punë më 27 qershor, se a do të mbështes apo jo dhënien e datës për Serbinë.

Të jem sa më i sinqertë, sepse nuk e di se kush kujt i dërgon raporte, por mendoj se ne do të fitojmë datën, sepse Serbia e ka merituar atë”, ka thënë Vuçiq për televizionin B92. (f.aliu)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG