Ndërlidhjet

Edhe pse nuk dihet saktë se cila do të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe në Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se KQZ-ja, është organi i cili do t’i organizojë zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës dhe jo ndonjë institucion apo organizatë tjetër.

Kryeshefi ekzekutivi e KQZ-së, Enis Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ky mekanizëm do të organizojë zgjedhjet edhe në veri të vendit.

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve si institucion kushtetues është organ i cili e bën organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës. Ne nuk kemi ndonjë arsye tjetër që të mendojmë jashtë Kushtetutës dhe përderisa të jetë kështu, si rrjedhojë KQZ-ja është ajo që do të organizojë zgjedhjet deri në një tenderim tjetër i cili mund të merret”, tha Halimi.

Ndryshe, në marrëveshjet e arritur me 19 prill në pikem 11 të saj thuhet se “zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare”.

Kurse në OSBE, nuk kanë dashur të flasin shumë rreth kësaj çështjeje, pasi që sipas tyre, bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë ende duke vazhduar.

Zëdhënësi i OSBE-së Nikola Gaon për Radion Evropa e Lirë shpjegoi:

“Momentalisht, konsultimet janë ne vazhdim e sipër dhe gjithashtu përmes këtyre konsultimeve do të vendosen të gjitha modalitetet për inkuadrimin e OSBE-së në gjithë këtë proces si dhe rolin e OSBE-së në këtë proces”, tha Gaon.

Kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se megjithëse mbajtja e zgjedhjeve lokale është shtyrë deri në fillimin e muajin nëntor, sipas tij, më mirë është që ato të shtyhen deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Këto deklarata Krasniqi i bëri pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit.

“Unë mendoj se pasi veç janë shtyrë zgjedhjet, pranvera do të duhej të ishte koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Për datën e zgjedhjeve duhet të pyetet presidentja, pasi që ajo vendos për datën”, tha Krasniqi.

Më parë zyrtarët në Beograd kishin kërkuar që zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbahen një javë më vonë, pas mbajtjes së zgjedhjeve në pjesën tjetër të Kosovës.

Qëndrimet e institucioneve të Kosovës janë se veriu do të shkojë në zgjedhje lokale njëkohësisht me komunat tjera.

Liderët politikë të serbëve në veri, kanë vlerësuar se pjesa më e madhe e qytetarëve të kësaj pjese të vendit, nuk do te dalin në zgjedhjet të cilat i organizojnë institucionet e Kosovës.

Megjithatë, njohës serbë të zhvillimeve politike në veri kanë theksuar se deri në vjeshtë situata mund të ndryshojë dhe se mund të sigurohet pjesëmarrja e qytetarëve serbë në këto zgjedhje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG