Ndërlidhjet

Sinjale pozitive për Serbinë


Serbia është në pritje të lajmeve të mira nga Brukseli lidhur për caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjë që pritet të ndodhë më 28 qershor në Këshillin Evropian.

Serbia pret që takimin e parë ndërministror me BE-në, ta ketë më së voni në dhjetor të këtij viti.

Në anën tjetër, një numër diplomatësh ndërkombëtarë tashmë kanë nisur të dërgojnë porosi pozitive për Serbinë lidhur me pritjet e saj.

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vensan Dezher, ka vlerësuar se është i kënaqur me gjithë atë që është arritur deri më tash në zhvillimin e Serbisë dhe se shpreson për një vendim pozitiv më 28 qershor, kur liderët evropianë do të vendosin për hapjen e bisedimeve me Serbinë.

“Mund të shohim të kënaqur krejt atë që është arritur deri më tash. Fule dhe Ashton kanë shkruar një letër të gjerë në të cilën janë dhënë detaje për arritjet konkrete dhe praktike gjatë bisedimeve. Shpresoj se me atë letër dhe me përparimin e arritur do të kemi një vendim pozitiv me 28 qershor”, ka deklaruar Dezher.

Ambasadori i Francës në Beograd, Fransoa Gzavije Denio, ditën e hënë ka theksuar se pret që Serbia, me 28 qershor në Bruksel, ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Mendoj se Serbia, gjatë muajve të kaluar, ka treguar se ka lëvizur me vendosmëri në drejtim të inkuadrimit në Bashkimin Evropian dhe kemi mjaft arsye për optimizëm, kur bëhet fjalë për javën tjetër dhe mbledhjen e Këshillit Evropian”, ka theksuar Denio.

Ndryshe, ditëve të fundit, akterët vendorë në Serbi i kanë dërguar opinionit vendor sinjale pozitive duke shprehur bindjet e tyre se Serbia do ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kryeministri serb Ivica Daçiq, ka theksuar se dëshiron që kjo datë të jetë fillimi i nëntorit.

Zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, nuk e vlerëson problematike nëse kjo datë do të ishte edhe në janar të vitit të ardhshëm.

Por, për raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, është pakuptueshme që të kalkulohet me data, sepse sipas tij, çështja është e thjeshtë dhe qenësore është drita jeshile për fillimin e bisedimeve.

“Shikojeni Malin e Zi, i cili është nisur e fundit në bisedime, para Serbisë. Atje është dërguar thirrja e shefave të shteteve dhe qeverive për Komisionin Evropian që të përgatisë çfarë është e nevojshme për fillimin e bisedimeve dhe në mënyrë të veçantë përmenden kapitujt 23 dhe 24. Kjo është ajo që zakonisht vihet në përfundim në samitin e shteteve".

"Nëse e japin dritën jeshile, do të thërrasin Komisionin Evropian që të përgatisë parakushtet për fillimin e bisedimeve, sa më shpejt që është e mundur. Negociatat për pranim do të fillojnë kur të krijohen parakushtet. Data mund të jetë vetëm një datë e synuar, të cilën e vendos dikush, në mënyrë që deri atëherë të bëjë krejt çka është e nevojshme për fillimin e negociatave”, ka theksuar Kacin.
XS
SM
MD
LG