Ndërlidhjet

Ratifikim dhe protesta për marrëveshjen Kosovë - Serbi


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Ekzekutivi kosovar ka aprovuar projektligjin për amnistinë, i cili bashkë me ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pritet që në seancën e radhës të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Megjithëse ka pasur dilema nga disa deputetë se a duhet të miratohet kjo marrëveshje në Kuvend, pasi që një veprim të tillë, nuk e ndërmerr edhe Serbia.

Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë tha të martën se ratifikimi i marrëveshjes do të behet gjatë këtyre ditëve.

Natyrisht, dua të theksoj se edhe çështja e ratifikimit të marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe ligji për amnisti do të kalojë gjatë kësaj jave në parlamentin e Republikës së Kosovës, por për kohën dhe ditën do të informoheni me kohë”, tha kryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media, duke folur për marrëveshjen dhe mundësinë e ratifikimit të saj në Kuvend, kanë thënë se ajo marrëveshje është e dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e shtetit të Kosovës.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të demonstrojnë para Kuvendit një orë para mbajtjes së seancës, kurdo që ajo të caktohet për t'u ratifikuar në Kuvend.

Në sheshin Nena Terezë, para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, do të mbajmë demonstratë kundër ratifikimit të marrëveshjes më Serbinë. Pse Qeveria e Kosovës, po ngutet që të bëhet ratifikimi në Kosovë para se të bëhet ratifikimi në Serbi? Me ketë mënyrë, plagës në Kosovë, Thaçi po ja shton fyerjen, ndërsa shërbimin që po ja bën Serbisë, po ja shton dhuratën".

"Marrëveshja Thaçi – Daçiq duket se nuk do të ratifikohet fare në Kuvendin e Serbisë, sepse atje nuk konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare dhe pranimi i saj nuk po e merr as formën e ligjit, por vetëm atë të aktit nënligjor që kalon në qeveri. Në Kosovë përfundimisht është suspenduar shtetndërtimi”, tha Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se 3 nëntori si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, është kompromis i bërë në mënyrë që zgjedhjet lokale për herë të parë të mbahen në tërë territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se liderët e opozitës mund të propozojnë çfarëdo date por duhet të marrin përgjegjësinë që të organizojnë zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës.

Lidhur me ketë propozim, drejtuesit e Vetëvendosjes kanë thënë se mund e të marrin përgjegjësi nëse Thaçi jep dorëheqje dhe ata do të marrin përsipër organizimin e zgjedhjeve.

Shpend Ahmeti nënkryetari i VV-së tha :

Nëse nuk mundet ai dhe pranon hapur se nuk ka mundësi ndryshe pos ta pyes Beogradin për këto gjëra, atëherë do të ishte shumë më mirë që ai të japë dorëheqje dhe t'ua lëshojë rrugën të tjerëve të cilet do të mund ta bënin këtë gjë”, tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, lideri i AAK-së Ramush Hradinaj, në një konferencë me gazetar ka theksuar se në subjektin e tij janë të befasuar nga data 3 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, por duke e pasur parasysh interesin kombëtar, ka deklaruar ai, partia e tij mbështet mbajtjen e zgjedhjeve në tërë vendin me një datë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke qenë se mban përgjegjëse nacionale, interesohemi për të gjitha proceset që janë të karakterit nacional, jemi të vendosur që të shkohet në një datë në zgjedhje, edhe në jug edhe ne veri”, tha Haradinaj.
XS
SM
MD
LG