Ndërlidhjet

AP: Ushtria amerikane reduktohet për 10 baza


Ilustrim
Ilustrim
Në një ristrukturim masi, ushtria amerikane do të ul numrin e brigadave aktive luftarake nga 45 në 33.

Po ashtu këto plane përfshijnë edhe zhvendosjen e mijëra ushtarëve nga bazat në mbarë vendin, në saje të reduktimit të numrit të forcave të saj në 80,000, raporton AP.

Zyrtarët amerikan thonë se këto ndryshime do të zhbëjnë brigadat në 10 baza ushtarake në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2017, dhe atë në tetë shtete.

Armata po ashtu do të reduktojë edhe mijëra vende pune në shërbimin ushtarak, përfshirë edhe ato të ushtarëve të njësive mbështetëse të brigadave, kurse dy brigadat në Gjermani tashmë janë caktuar për shuarje.

Agjencia “Associated Press” thotë të ketë parë detajet e planeve, për të cilat publiku amerikan do të njoftohet të martën.

Ushtria amerikane është reduktuar në numra nga 570,000 sa ishin gjatë luftës në Irak në 490,000, që janë në përpjekje të uljes së shpenzimeve dhe të reflektimit të nevojave ushtarake të Amerikës, në kohën kur luftërat në Irak dhe Afganistanit po marrin fund.

Përderisa reduktimet mund të kenë ndikim më të ulët në bazat më të mëdha ushtarake si në Fort Hood të Teksasit dhe Fort Bragg në Karolinën Veriore, ato mund të jenë më të dhimbshme për komunitetet rreth disa bazave më të vogla si ajo në Fort Knox, ku momentalisht është e vendosur vetëm një brigadë.

Shtatë bazat tjera të cilat do të humbin brigadat janë: Fort Bliss në Teksas, Fort Campbell në Kentuckly, Fort Carson në Kollorado, Fort Drum në New York, Fort Riley në Kanzas, Fort Stewart në Gjorgjia, dhe Joint Base Lewis-McChord në Washington.

Ushtarët e brigadave të shuara, mund të transferohen në njësi të tjera.
XS
SM
MD
LG