Ndërlidhjet

Maqedoni: "Anashkalimi" në samitin e BE-së


Ilustrim

Ilustrim

Fajin për anashkalimin e Maqedonisë nga samiti i Bashkimit Evropian, duke mos e vënë fare në agjendë, ish-ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht deputet i VMRO DPMNE-së, e apostrofon vetëm në palën greke.

“Në rastin e Maqedonisë, fajin nuk e bart as euro-komisionari Fyle, e as kryeministri Nikolla Gruevski , aq më pak Parlamenti maqedonas ose kushdo qoftë, përpos një vendi anëtar të BE-së, Greqisë, që për më shumë se 20 vjet pengon procesin euro-integrues të Maqedonisë”, tha Antonio Milloshovski.

Ndërsa, partia maqedonase në opozitë, LSDM, thanë se gjatë ditëve në vijim do të prononcohet më gjerësisht se përgjegjësi e kujt është anashkalimi i tërësishëm i Maqedonisë në samitin e Brukselit dhe pse Maqedonia si vend lider në procesin e integrimeve, është krejtësisht në fund në këtë proces në kuadër të rajonit.

Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të opozitës në rrjetet sociale, sidomos në statuset e tyre, kanë theksuar se e gjithë kjo ka të bëjë me politikën e gabuar të qeverisjes aktuale, sa i përket përmbushjes së kritereve dhe zgjidhjes së kontestit të çështjes së emrit me Greqinë.

Ditë më parë, Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër për Integrime, duke theksuar arsyet e dështimit të Maqedonisë sa i përket procesit të integrimit, tha se kjo është si rezultat i dështimit të vendit për të përmbushur kushtet që caktoi BE-ja në samitin e dhjetorit.

Sipas Besimit, madje, përgjegjëse për këtë situatë, janë institucionet e vendit.

"Duhet të tregojmë publikisht se në këtë Këshill Evropian nuk ka për të pasur datë për fillimin e bisedimeve. Arsyet janë të thjeshta, se konkluzionet e caktuara në dhjetor për Maqedoninë, nuk janë përmbushur. Dhe, kur shtrohet pyetja se kush është përgjegjëse, unë do të thosha, institucionet tona", u shpreh Besimi.

Por, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshovski, nga partia e kryeministrit Gruevski, këtë deklaratë e quajti populiste në funksion të politikës ditore.

“Nëse ministri Besimi është i mendimit se ndonjë institucion i caktuar nuk ka realizuar kriteret e përcaktuara nga BE-ja, ai duhet të definojë se kush është ai institucion dhe njëherësh të hapet debat për bartjen e përgjegjësisë nga ata që janë kompetentë. Në të kundërtën, nëse kjo deklaratë është bërë në formë të përgjithshme, do të thosha se e njëjta është vetëm një deklaratë politike”, potencoi Milloshovski.

Ndërkohë, Malinka Ristovska - Jordanovska, nga Instituti për Politika Evropiane konsideron se Maqedonia, me vetë faktin që nuk është vënë fare në agjendën e samitit të Brukselit, tregon qartë se ka ngecje të theksuara sa i përket partneritetit me BE-në.

“Janë dhënë shumë argumente, përmes së cilave Greqia mund të arsyetohet se Maqedonia nuk i ka përmbushur kriteret, siç është dhe rasti me ngjarjet e 24 dhjetorit në Parlamentin e Maqedonisë dhe pamundësia që të ndriçohen këto zhvillime edhe më shumë ka kontribuuar që të krijohet një atmosferë negative sa i përket përmbushjes së kritereve”, theksoi ajo, duke shtuar se kësaj radhe assesi nuk ka argumente që Maqedonia ngec në procesin e integrimeve si pasojë e bllokimit nga ana Greqisë.

Ndryshe, shtetet anëtare të BE-së kanë vendosur që Maqedonia të mos jetë në agjendën e samitit të BE-së, duke mos iu caktuar as data për fillimin e bisedimeve për inkuadrim në këtë organizatë, madje që as të mos vlerësohen hapat e vendit në këtë drejtim.

“Shtetet anëtare vendosen që të mos vënë IRJ të Maqedonisë në agjendën e samitit, megjithatë unë sot i informova ministrat e vendeve anëtare me letrën që kryetari i Maqedonisë , i cili informon se ka filluar punën Komisioni anketues për zbardhjen ngjarjeve të 24 dhjetorit, që është pjesë e Marrëveshjes së 1 marsit, për tejkalimin e krizës politike në vend”, është shprehur euro-komisionari Fyle.
XS
SM
MD
LG