Ndërlidhjet

logo-print

Ligji për amnistinë, në sytë e serbëve të veriut


Mitrovicë

Mitrovicë

Miratimi i projektligjit për amnisti nga Qeveria e Kosovës, i cili buron nga marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nxitur reagime dhe komente të ndryshme të politikanëve serbë të veriut të vendit.

Lideri i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, vlerëson se ky ligj është rezultat i kërkesës së Beogradit. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një hap tejet i gabueshëm nga ana e Beogradit, përmes të cilit Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Amnistinë e sjellin vetëm shtetet që janë të njohura ndërkombëtarisht. Nga kjo pikëpamje, i bie që Beogradi e ka njohur ndërkombëtarisht Prishtinën në momentin që nga ajo ka kërkuar që ta shpallë amnistinë në territorin e saj”.

“Unë nuk e kam të qartë pse Beogradi ka insistuar dhe ka kërkuar një gjë të tillë, para së gjithash nga Brukseli, por edhe nga Prishtina. Të gjithë ata, të cilët kanë dashur t’i gjykojnë, kjo ka ndodhur tashmë nga viti 1999 e deri në vitin 2003, kështu që më nuk ka dhe nuk qëndrojnë kurrfarë akuzash për çfarëdo krimesh nga ajo kohë”
, thotë Jakshiq.

Ai shton se Ligji për amnisti nuk do të ndikojë që serbët që jetojnë në veri të vendit të integrohen në institucionet e Kosovës dhe në proceset që tashmë janë filluar me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe mendon lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, Ligji për amnisti është parakusht për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në të kundërtën, sipas tij, një numër i madh i qytetarëve do të mund të jetë nën goditjen e hetimeve, që në të shumtën e rasteve, siç thotë ai, do të ishin të motivuara politikisht.

Në një situatë të tillë, thekson Ivanoviq, fronti kundër zbatimit të marrëveshjeve do të ishte i fortë dhe askush, madje as Qeveria e Serbisë, nuk do të mund të bënte asgjë nën kushte të tilla. Ky ligj, thotë ai, do të hapë mundësinë e integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës.

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

“Është e rëndësishme që veriu të motivohet. Të paktën, të motivohet pak, sepse, nëse nuk dëshiron të ndihmojë, atëherë të paktën të mos bëjë obstruksione, ngaqë thënë thjeshtë, një tërësi e tillë kompakte me një popullatë shumë kompakte, mund të jetë pengesë e rëndësishme në integrimin e mëtutjeshëm, jo vetëm të serbëve në institucionet e Kosovës, por edhe pengesë e serbëve ndaj serbëve. Është e dukshme që diferencat ekzistojnë për shkak të pozicionit gjeografik dhe këto diferenca ndonjëherë barten edhe në rrafshin politik”, thekson Ivanoviq.

Në anën tjetër, Jakshiq vlerëson se serbët e veriut nuk çajnë kokën nëse Kosova miraton ose jo Ligjin për amnisti, sepse, siç thotë ai, një gjë të tillë ata e shohin me indiferentizëm.

“Mendoj se serbët, nëse mund të them, janë indiferent ndaj gjithë kësaj. Nga ajo që kam rastin të shoh në terren, në veri të Mitrovicës, për këtë ligj as që flet dhe as që diskuton ndokush. Kështu që, për serbët në veri të Kosovës, kjo është një temë në margjina”, shprehet Jakshiq.

Por, Ivanoviq shpreh mendimin se miratimi i Ligjit për amnisti është mjaft domethënës dhe është pikënisje për krijimin e një klime mirëbesimi në veri.

“Sidoqoftë, ky ligj nënkupton tërheqjen e një vije. Kështu që kjo që, eventualisht, ju falet atyre që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës, nuk do të thotë se edhe në të ardhmen do t’ju falet”.

“Kjo është një masë afat-shkurtë e dhe si e tillë mundëson edhe një lloj mirëbesimi dhe pajtimi, si dhe integrim më të lehtë. Pa këtë, mendoj se gjasat që marrëveshja të zbatohet janë të barabarta me zero”,
vlerëson Ivanoviq.

Projektligji për amnistinë, bashkë me ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pritet që në seancën e radhës të miratohen në Kuvendin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG