Ndërlidhjet

KQZ organizon zgjedhjet-OSBE i lehtëson në veri


Ilustrim
Ilustrim
Zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës do t’i organizoj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa ato do të lehtësohen nga Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ky është përparimi që qeveria në Prishtinë, thotë të jetë arritur në raundin e pestë të bisedimeves për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, që u zhvillua në Bruksel gjatë 48 orëve të fundit.

“Në këtë takim dyditor janë shënuar përparime të reja sa i përket rolit lehtësues që do të ketë OSBE-ja në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, konform marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë një komunikatë e qeverisë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, janë paraparë të zhvillohen më 3 nëntor, në gjithë territorin e Kosovës.

Lidhur me regjistrimin e subjekteve të reja dhe certifikimin e subjekteve politike të interesuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, kjo gjë do të bëhet nga ana e KQZ-së dhe konform dispozitave të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale të Kosovës.

“Me ketë rast, tri palët inkurajojnë subjektet politike të interesuara, që të plotësojnë kriteret nevojshme brenda afateve të parapara ligjore për regjistrim”, thuhet në komunikatën e qeverisë dërguar medieve.

Po ashtu në ketë takim, KQZ në bashkëpunim me ministrinë e brendshme, janë zotuar që do të marrin të gjitha veprimet e duhura në bashkëpunim me OSBE-në për krijimin “e listës së saktë dhe gjithëpërfshirëse të votuese, me fokus për katër komunat veriore të Kosovës”.

Në takim, siç shkruan qeveria në njoftimin e saj, është arritur pajtimi që të gjitha palët të jenë të angazhuara plotësisht për një pjesëmarrje sa më të madhe të të gjithë qytetarëve, sidomos në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Delegacioni kosovar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, më 25 dhe 26 qershor mori pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe OSBE-ja.
XS
SM
MD
LG