Ndërlidhjet

Dhjetë vjet që nga fillimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, fondi i privatizimit mbetet i bllokuar dhe i pashfrytëzuar.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimi, mbi 632 milionë euro ka arritur fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve të shoqërore në vend.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se këto mjetet janë të deponuara në Bankën Qendrore të Kosovës. Por, AKP-ja, thotë Kaloshi, është në proces të shqyrtimit të mundësive për investimin e mjeteve nga Fondi i Mirëbesimit në institucione të ndryshme financiare, me qëllim që të rritet norma e kamatave më shumë se sa po përfitohet aktualisht nga investimi i mjeteve në BQK.

“Nga procesi i privatizimit nga kjo shumë janë grumbulluar 564 milionë euro, ndërsa nga shitja e aseteve me likuidim janë grumbulluar 68,5 milionë euro. Këto fonde janë të grumbulluara në Bankën Qendrore të Kosovës dhe deri më tani, agjencia inkason norma të interesit dhe nga këto norma janë shtuar fonde, rreth 34.6 milionë euro, pavarësisht krizave nga tregjet financiare ndërkombëtare”, bën të ditur Kaloshi.

Ekspertë për çështje ekonomike në vend e quajnë absurd faktin që Kosova edhe pas pesë vjetësh të shtetësisë, nuk ka arritur që t’i shfrytëzojë mjetet e gjeneruara në Kosovë.

Muhamet Sadiku vlerëson se kthimi i këtyre mjeteve do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Një ndër faktorët që ka bërë shtrëngim financiar në Kosovë është edhe bllokimi i mjeteve nga Fondi i Privatizimit dhe plasimi jashtë i mjeteve të kursimeve të pensioneve. Do të thotë, dy burime, të cilat janë gjeneruar në Kosovë, dhe për çudi Kosova e pavarur ende nuk ka mundësi që t’i shfrytëzojë sidomos mjetet nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore”, shprehet Sadiku.

Ai pohon se shfrytëzimi i këtij fondi krijon mundësi që Kosova të orientohet në disa projekte kapitale në vend.

Njëherësh, sipas Sadikut, kjo do të mundësonte mbështetjen e sektorit privat, sidomos sektorit prodhues, rrjedhimisht uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë në vend.

Muhamet Sadiku

Muhamet Sadiku

“Zhbllokimi i këtyre mjeteve do të reflektojë shumë pozitivisht në ofertën financiare të Kosovës, sidomos në këtë periudhë, kur autostradat e veta është duke i ndërtuar me para të gatshme të buxhetit të Kosovës. Dhe, servisimi i këtyre mjeteve do të sillte relaksim në sistemin e financimit të bizneseve dhe do të ndikonte në uljen e kamatave që për momentin janë tejet të larta”, vlerëson Sadiku.

Fondet e grumbulluara nga privatizimi dhe shitja e aseteve, ruhen në mirëbesim, pasi duhet të kompensohen obliguesit e ndërmarrjeve shoqërore, thotë Kaloshi. Megjithatë, ai shprehet se vitin e kaluar nga përmbyllja e procesit të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, ka bartur në buxhetin e Kosovës rreth 30 milionë euro.

“Mjetet, sipas ligjit, barten në buxhetin e Kosovës, nëse nga procesi i likuidimit të secilës ndërmarrje veç e veç, teprojnë mjete pasi të shlyhen obligimet e 20 përqindëshit për punëtorë dhe pasi të përfundojnë obligimet e kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore”.

“Do të thotë, mjetet barten në buxhet pas përfundimit të procesit të likuidimit dhe kryerjes së obligimeve që ndërmarrjet shoqërore kanë ndaj palëve të ndryshme”,
thekson Kaloshi.

Kaloshi tregon se AKP-ja gjatë kësaj periudhe ka privatizuar dhe likuiduar rreth 1500 ndërmarrje shoqërore. Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike, kanë shprehur shqetësimin se nëse fondi i privatizimit mbetet i pashfrytëzuar, kjo krijon hezitim tek investitorët e huaj që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG