Ndërlidhjet

Vendim historik për të drejtat homoseksuale në SHBA

  • RFE /RL

Në një vendim historik për të drejtat e homoseksualëve në Shtetet e Bashkuara, Gjykata Supreme e këtij vendi ka rrëzuar një dispozitë të ligjit federal, e cila kufizon definicionin për martesën në një bashkim në mes të një burri dhe një gruaje.
Në një vendim të veçantë, Gjykata Supreme po ashtu u ka hapur rrugën martesave ndërmjet gjinive të njëjta në Kaliforni.

Vendimi i parë, i miratuar nga gjyqtarët e gjykatës, shfuqizon dispozitën e Aktit të Mbrojtjes Martesore të vitit 1996. Ky hap do të thotë se çiftet homoseksuale, të martuara ligjërisht, kanë të drejta të njëjta në taksat federale, në shëndetësi dhe në përfitimet pensionale.

Martesat ndërmjet gjinive të njëjta janë miratuar në 12 shtete dhe në Uashington, DC.
Akti i Mbrojtjes Martesore ka kaluar lehtë në Kongres dhe është nënshkruar në ligj nga presidenti Bill Clinton, më 1996.

Në vitin 2011, administrata Obama ka braktisur mbrojtjen e ligjit, por ka vazhduar ta zbatojë atë.

Në deklaratën për mediat, presidenti amerikan ka thënë se Gjykata Supreme “ka përmirësuar një gabim dhe vendi ynë është më mirë pa të”.

Ai, po ashtu, ka theksuar se vendimi i gjykatës nuk do të ndryshojë atë se si institucionet fetare përcaktojnë dhe shenjtërojnë martesën.

Çiftet homoseksuale dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në SHBA kanë mirëpritur vendimin e gjykatës.

“Është një fitore e madhe dhe një ditë e lumtur për çiftet e dashuruara, të martuara dhe për familjet e tyre. Ajo çfarë do të thotë ky vendim është se nuk ka qytetarë të klasës së dytë në Amerikë dhe nuk ka martesa të klasës së dytë”, ka thënë Mark Solomion, drejtor i organizatës “Liria për t’u martuar”.

Shumë ligjvënës demokratë, përfshirë shtatë anëtarë homoseksualë të Kongresit, kanë mirëpritur po ashtu vendimin e së mërkurës.

Por, shumë republikanë, si përfaqësuesja Vicky Hartzler, kanë reaguar ndryshe.

“Duhet të punojmë për të promovuar ndershmërinë e martesës midis një burri dhe një gruaje. Kjo është një politikë e mençur për të mbështetur realitetin, sipas të cilit, çdo fëmijë meriton një nënë dhe një baba”, ka thënë Hartzler.

Grupet anti-homoseksuale janë zotuar se do të vazhdojnë luftën.

Në vendimin e saj të dytë, Gjykata Supreme ka konstatuar se mbrojtësit e Propozimit 8 të Kaliforninë, ndalesës shtetërore të martesave homoseksuale, nuk kanë pasur të drejtë të apelojnë vendimin e gjykatës më të ulët, e cila ka hedhur poshtë ndalesën.

Presidenti Barack Obama ka uruar përmes telefonit gruan 83-vjeçare, Edith Windsori, e cila ka qenë paditëse në rastin kundër Aktit të Mbrojtjes Martesore dhe në rastin e Kalifornisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG