Ndërlidhjet

logo-print

WP: Snowden, ftohje shtesë në raportet SHBA – Rusi


Snowden në qendër të mediave

Snowden në qendër të mediave

Për ata që mendojnë se Edward Snowden meriton arrest ose edhe më keq, mund ta inkurajoni vetveten duke menduar se Aeroporti Ndërkombëtar “Sheremetyevo”, me gjasë, mund të jetë qendra transportuese më shkatërruese e shpirtit dhe më shkaktuese e ankthit në gjithë botën, shkruan në fillim të artikulli autorja Anne Applebaum, në të përditshmen “Washington Post”.

Më tutje, në artikull përshkruhet aeroporti, duke i theksuar tavanet e ulëta dhe dritën e zbehtë, që krijojnë ndjenjën e një kërcënimi nga e keqja, derisa orët e dorës shumë të shtrenjta shkëlqejnë në errësirë.

Shitëset e ngrysura ofrojnë sandviçë bajatë; një person me rroba të këqija pi heshtas në bar. Një aromë e paqartë e naftës e mbush ajrin, ndërsa një shtresë e hollë e papastërtisë i mbulon ulëset pa mbështetëse dhe dyshemenë e thatë, shkruan gazeta dhe konstaton se ky nuk është vend ku do të dëshironit t’i kaloni as dy orë, e jo gjithsej 48 sosh.

Ai ende mbetet atje, mysafir i qeverisë ruse. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, kanë përsëritur fiksionin se Snowden “nuk e ka kaluar kufirin rus”, pasi ai mbetet në zonën transitore në aeroportin “Sheremetyevo”.

Por, prej të hënës në mbrëmje, Snowden e ka shkelur ligjin rus, i cili kërkon që çdokush që qëndron në aeroport më gjatë se 24 orë, duhet të ketë vizë valide transitore.

Nëse autoritetet ruse i kanë dhënë atij vizë ose po e lejojnë atë që ta shkelë ligjin, ata kanë marrë vendim të qëllimshëm për ta lënë atë që të mbetet aty, duke sugjeruar se ata nuk po e mbajnë atë kundër vullnetit të tij, shkruan WP.

Sekretari i shtetit, John Kerry, ka bërë thirrje për dorëzimin e Snowdenit në bazë të “respektit për sundim të ligjit”.

Megjithëqë Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëveshje për ekstradim me Rusinë, zoti Kerry ka theksuar se i ka transferuar shtatë njerëz në Rusi, gjatë dy viteve të kaluara, për t’i respektuar kërkesat ruse. Për momentin, rusët duket se nuk janë të gatshëm ta respektojnë sundimin e ligji, që nuk paraqet befasi, derisa ata këtë nuk e respektojnë në shtëpi, shkruan autorja Anne Applebaum, në të përditshmen “Washinton Post”, lidhur me rastin Edward Snowden.

Herën e fundit kur ish-agjenti i njohur i shërbimit sekret rus iku në perëndim, agjentët rusë e helmuan atë me Polonium 210, duke lënë gjurmë të rrezatimit në gjithë Londrën dhe Hamburgun.

Shumëçka mbetet e errët, ndërsa shumë raportime duken sensacionale, për të konkluduar se çka tregon kjo çështje lidhur me Agjencinë e Sigurisë Shtetërore, me përjashtim se ajo është një e keqe shokuese në mbrojtjen e informacioneve të supozuara sekrete. Por, diçka interesante është zbuluar lidhur me natyrën e raporteve aktuale ndërkombëtare.

Në këtë kuptim të ngushtë, Lufta e Ftohtë është kthyer: ne edhe njëherë merremi me qeverinë e Rusisë, e cila e sheh botën në mënyrë ideologjike, bardh e zi. Ajo që është e keqe për ne, është e mirë për ta, dhe anasjelltas.

Nëse Snowden është çështje turpëruese për Shtetet e Bashkuara, ai duhet të mbrohet sa më gjatë që të jetë e mundshme. Nëse ne mendojmë se Bashar al-Assad është duke e shkatërruar Sirinë në mënyrë mizore dhe pamëshirshëm, atëherë Rusia do t’i japë atij mbështetje. Nëse ne shqetësohemi për programin atomik të Iranit, atëherë Rusia ndihmon në ndërtimin e programit, shkruan “Washington Post”.

Politika e jashtme e Rusisë e ka, po ashtu, edhe logjikën e brendshme: ajo ka për qëllim ta mbështesë legjitimitetin e regjimit aktual. Rusia tashmë nuk ka interesa gjeostrategjike ose ekonomike në Siri, por rënia e edhe një diktatori mund të dërgojë mesazh për inkurajimin e popullit të vet.

Me Snowdenin, rusët po tregtojnë në mënyrë të kujdesshme. Megjithëse nxitja për ta përdorur atë si mjet të propagandës anti-amerikane, duhet të jetë shumë e fuqishme, ata nuk e kanë lavdëruar atë në mënyrë shumë të zëshme, me gjasë nga frika e inkurajimit të rrëmbimit të dokumenteve të qeverisë së vet.

Incidenti thekson se nuk ekziston pikëpamje e përbashkët e botëkuptimit, me të cilën mund të ketë mbështetje gjatë marrjes me këtë qeveri të Rusisë; nuk ekziston marrëveshje për rregullat ndërkombëtare të lojës, e të mos flasim për sundim të ligjit.

Ky, natyrisht, është rast me shumë vende, por prej viteve të 90-ta, shumë në Uashington, e kanë mbajtur iluzionin se mund të ketë ose duhet të ketë raporte speciale ndërmjet dy ish-superfuqive. Vendimi i Bill Clintonit për të lejuar që Rusia t’i bashkohet Grupit Tetë, ishte rezultat i një pikëpamjeje të këtillë.

“Ripërtëritja” fatkeqe e marrëdhënieve ruso - amerikane e administratës Obama, ishte një tjetër zhvillim i këtillë, shkruan gazeta.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë zgjidhje: kjo është në mënyrë perfekte e mundshme, sikur në ditët e Luftës së Ftohtë, autoritetet e Rusisë do të synojnë që Snowdenin ta tregtojnë me diçka ose dikë tjetër, që ata e dëshirojnë, qoftë ai spiun ose kriminel.

Është e mundshme se ata do ta burgosin atë për pak kohë, për të parë se nëse ai do të jetë i dobishëm. Por, në kohën kur ju do ta lexoni këtë tekst, mund të ndodhë që ata e kanë lënë atë të shkoj diku tjetër, ashtu siç kishin bërë kinezët, për ta liruar vetveten nga problemet.

Por, ata nuk do ta dërgojnë atë në shtëpi si gjest i vullnetit të mirë ose çështje e parimit, ashtu siç duket se shpreson zoti Kerry.

Këtë ne mund ta presim vetëm nga disa aleatë tanë, por Rusia në asnjë rast nuk është e tillë, shkruan në fund të artikullit autorja Anne Applebaum, në “Washington Post”.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG