Ndërlidhjet

Mostransparencë në financimin e partive në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët e Maqedonisë pothuajse aspak nuk kanë qasje në informacionet se kush i financon partitë politike në vend dhe si i shpenzojnë ato mjetet e grumbulluara nga donatorët, të cilët zakonisht mbeten anonim, edhe pse për këtë janë të obliguar me ligj, thekson Sllagjana Taseva, drejtoreshë e organizatës joqeveritare "Transparency International” në Maqedoni.

Ajo thekson se sektori civil, me gjithë tentimet, e ka pothuajse të pamundur të ndjekë rrjedhën e financave të partive politike, ngase kjo temë është e mbyllur në më shumë raste për opinionin.

“E para, qytetarët nuk janë të informuar mjaftueshëm se kjo çështje i prek drejtpërdrejt dhe interesat e tyre. Dhe, e dyta, në momentin kur sektori civil filloi të merret me këtë çështje shumë vështirë arrihet te ndonjë informacion relevant. Pra, nuk ka informacione relevante. Ajo që është dhënë si informacion, zakonisht bëhet në formë të pjesshme, kështu që nuk mund të nxirret ndonjë konkluzë me relevancë”, thotë Taseva.

Ndërkaq, Ana Janevska - Delleva nga sektori civil, thotë se problemi më i madh shfaqet në mungesën e informacioneve nga ana e partive politike, kurse institucionet për një nuancë janë më transparente krahasuar me periudhën e kaluar.

“Nuk kemi probleme me institucionet, aq sa kemi me vetë partitë politike. Sipas të dhënave zyrtare janë të regjistruara rreth 50 parti politike, por më shumë se nga gjysma e tyre nuk arrijmë të marrim asnjë informacion lidhur me aktivitetet financiare”, thekson Delleva, duke shtuar se Revizioni Shtetëror mund të ndikojë në përmirësimin e kësaj gjendjeje:

“Nëse do të bëhej një revizion nga institucionet përkatëse, do të vërehen shumë mangësi që kanë të bëjnë me mungesën e transparencës gjatë financimit të partive politike, dhe të njëjtit kanë në dorë dhe mekanizmin e veprimit konkret, kurse ne, si OJQ, vetëm mund të detektojmë realitete të caktuara që nuk kanë të bëjnë me normat demokratike, ndërkohë që na mungon mekanizmi veprues”.

E, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Anti-korrupsion, konsideron se pavarësisht faktit që është obligative, si për partitë, ashtu dhe për institucionet, të jenë transparente sa u përket informacioneve me karakter publik, sikur është instaluar një marrëveshje e heshtur mes tyre që për këtë çështje të mos nxirret asgjë në publik dhe askush të mos sanksionohet, sepse nuk e përmbush këtë obligim ligjor.

“Po vërtet partitë politike, gjegjësisht funksionimi i tyre, kontrollohet nga institucionet përkatëse dhe asnjëherë deri më tani nuk është paraqitur ndonjë rezultat konkret nga kontrolli që u është bërë”, thekson Musa, duke shtuar se edhe institucionet shtetërore kryesisht mbeten të pasanksionuara kur nuk i përgjigjen obligimit ligjor, që të publikojnë në ueb faqet e tyre raportet financiare ose kur thjesht u kërkohet një informacion me karakter publik nga ana e qytetarëve.

Megjithatë, Sllagjana Taseva, thotë se duhet përforcuar aktivitetet e sektorit civil që punojnë në këtë drejtim, sepse ata, në formë direkte kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që të kërkojnë informacione me karakter publik, përfshirë këtu dhe financimin e partive politike.

“Duhet të përforcohen kapacitetet e sektorit civil, sepse ata kanë mundësi që përmes aktiviteteve të ndryshme, të ngrenë vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e informacioneve me karakter publik”, thekson Taseva duke apostrofuar në këtë drejtim, rolin që duhet të kenë qytetarët për të kërkuar nga të zgjedhurit e popullit përgjegjësi për çdo vendim që marrin , sepse sipas saj mos transparenca dhe pengimi i qasjes në informacionet me karakter publik, bën që drejtuesit e institucioneve të mos jenë përgjegjës gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Ndryshe, në raportin e fundit të “Transparency International” të titulluar “Blerje e ndikimit, paratë dhe zgjedhjet në Ballkan”, Maqedonia zë vendin e parafundit në vendet e rajonit.

Do theksuar se deri më tani, pavarësisht denoncimit të parregullsive të shumta nga më shumë organizata, ndaj asnjë partie politike nuk është ngritur padi penale për keqpërdorim të mjeteve financiare.
XS
SM
MD
LG