Ndërlidhjet

Kosovë: Policia ka marrë masa për manifestimin në Gazimestan


Pjesëtarë të policisë së Kosovës në Prishtinë
Pjesëtarë të policisë së Kosovës në Prishtinë
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për tubimin publik, i cili do të mbahet sot në Gazimestan, kanë konfirmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Policia e Kosovës me kohë e ka përgatitur urdhërin operativ të quajtur “Vidovdani 2013”.

“Ky urdhër operativ i përgatitur në nivel qendror u është proceduar edhe drejtorive rajonale policore, për t’i hartuar planet e tyre konkrete, në mënyrë që të harmonizohen me urdhërin operativ të lëshuar nga niveli qendror. Ky urdhër operativ, si qëllim strategjik ka përgatitjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese dhe operative policore, në mënyrë që ky manifestim të zhvillohet në suaza të normales, duke respektuar rendin dhe qetësinë publike”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se plani operativ po ashtu ka për qëllim garantimin e lëvizjes së lirë për pjesëmarrësit në tubimin publik, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës edhe më herët u ka bërë thirrje pjesëmarrësve eventual në tubimin në Gazimestan, që t’i shmangen veprimeve provokuese, si dhe bartjes së simboleve provokuese. Zyrtarët e e saj kanë theksuar se policia e Kosovës do të veprojë në përputhje me autorizimet ligjore që i ka.

Nga ana tjetër, Në manastirin e Deçanit dhe në Graçanicë sot është mbajtur mesha për Vidovdanin.

Në Deçan kan arritur dhjetëra besimtarë ortodoks serbë, ndërkaq aty kanë qenë të pranishëm edhe zyrtari i ndërlidhjes i Beogradit, Dejan Paviçeviq, këshilltari i kryetarit të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Manifestimi qendror i Vidovdanit do të mbahet pak pas mesditës në Gazimestan afër Prishtinës, ku do të jetë i pranishëm edhe patriku i Kishës Ortodokse serbe, Irinej.
XS
SM
MD
LG