Ndërlidhjet

Gazimestan: Shënohet Beteja Mesjetare e Kosovës


Rreth 2 mijë serbë janë mbledhur të premten pranë monumentit të Gazimestanit për të kremtuar festën e Shën Vidit, apo siç e quan komuniteti serb “Vidovdan”, si dhe për të shënuar 624-vjetorin e Betejës Mesjetare së Kosovës.

Ceremoninë kryesore në Gazimestan e ka udhëhequr kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriku serb Irinej, i cili duke e quajtur Kosovën si vend të shenjtë, ka dhënë mesazhin se si e tillë “nuk guxon të lihet në harresë dhe se për të ia vlen të vdiset dhe të jetohet’.

“Porosia nga ky vend i shenjtë për të gjithë kosovarët është që të kthehen në shtëpitë e tyre, në kishat dhe manastiret, si dhe te varret e të parëve të tyre”.

“Kemi ardhur këtu të përkulemi dhe t’i lutemi Zotit dhe martirëve të shenjtë, të cilët e kanë derdhur gjakun dhe i kanë dhuruar jetët Zotit dhe fisit të tyre. Nuk guxojmë kurrë t’i harrojmë. Nëse i harrojmë, do të na harrojnë edhe ata ne dhe kjo është një tragjedi më e madhe se vetë Kosova”,
ka theksuar patriku Irinej.

Në kremten e së premtes në Gazimestan kanë ardhur serbë nga Kosova, Serbia, si dhe Republika serbe.

Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit, në manastirin e Deçanit dhe në Graçanicë janë mbajtur liturgjitë për të shënuar festën e Shën Vidit.

Në manastirin e Deçanit ishin të pranishëm dhjetëra besimtarë ortodoks serbë, ndërkaq që aty kanë qenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me zyrtarin ndërlidhës në Prishtinë, Dejan Paviçeviq, këshilltarin e presidentit serb, Marko Gjuriq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, Aleksandar Vulin.

Zëvendës-kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka theksuar se ndihet krenar që po e viziton Manastirin e Deçanit në kremten e Shën Vidit, megjithëse, siç ka thënë ai, nuk ka arsye të shumta për të kremtuar.

“Sot, ndonëse nuk jam i sigurt që kemi shumë arsye për të festuar, kemi arsye për kënaqësi. Para nesh janë mjaft punë, përpjekje, mundime dhe shumë energji, të cilën duhet ta investojmë. Por, para nesh më nuk ka gjak, nuk ka kthim në të kaluarën. Nuk janë më gjithë ato vuajtje, nëpër të cilat kemi kaluar gjatë 24 vjetëve të fundit. Jam i bindur se me punën tonë mund të bëjmë një të ardhme tjetër, të sigurt dhe përparimtare”, ka thënë Vuçiq në Deçan.

Policia e Kosovës që herët pati paralajmëruar se përmes një plani operativ i kishte ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për tubimin publik i cili u mbajt në Gazimestan, si dhe për të garantuar lëvizjen e lirë për pjesëmarrësit në tubimin publik, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e policisë kanë raportuar se pas përfundimit të manifestimit në Gazimestan, rreth orës 14: 15 minuta ka ndodhur një incident në fshatin Mazgit.

Policia raporton se janë thyer dy xhama dhe nje pasqyrë në dy autobusë, të cilët po ktheheshin nga manifestimi në Gazimestan. Për pasojë, një person është lënduar lehtë dhe atij i është ofruar ndihma mjekësore.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin, ndërkohë që sipas tyre, ky incident nuk ka ndikuar në sigurinë e përgjithshme.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG