Ndërlidhjet

Tri viktima në Egjipt - SHBA kërkon vigjilencë


Egjipt
Egjipt
Tre persona kanë humbur jetën në Egjipt, në përleshjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Mohamed Morsi.

Dy njerëz janë vrarë në Aleksandri, përfshirë një amerikan të ri, i cili është goditur me thikë deri në vdekje. Viktima e tretë është raportuar në Port Said.

Zjarrvënie në zyrat e Vëllazërisë Myslimane, partisë së presidentit, janë raportuar në Aleksandri dhe gjetkë.

Në kryeqytetin Kajro, dhjetëra-mijëra njerëz kanë dalë në demonstrata rivale, për dhe kundër Morsit.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar amerikanët të mos udhëtojnë drejt Egjiptit dhe kanë urdhëruar stafin jo-urgjent diplomatik që të lërë zyrat.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë në Egjipt “që të mbeten vigjilentë”.

Presidenti Morsi ka mbajtur një fjalim të mërkurën në lidhje me vitin e tij të parë në detyrë. Ai u ka bërë thirrje kundërshtarëve që të përmbahen nga provokimet dhe t’i bashkohen dialogut.

Opozita ka hedhur poshtë thirrjet e presidentit dhe ka përsëritur kërkesat për zgjedhje të reja.

Protestuesit akuzojnë Morsin se ka dështuar të përmbushë qëllimet demokratike të revolucionit, i cili ka detyruar sunduesin veteran, Hosni Mubarak, të lërë pushtetin në fillim të vitit 2011. Ata po ashtu thonë se presidenti i ka dorëzuar zhvillimin e Egjiptit Vëllazërisë Myslimane, e cila ndjek një agjendë islamike.

Kundërshtarët fajësojnë Morsin edhe për përkeqësimin e ekonomisë së Egjiptit dhe të standardeve të jetës për njerëzit e rëndomtë.

“Ai (Morsi) ka mbajtur një fjalim për të na treguar se çfarë ka bërë vitin e parë në zyrë. Por, këtu nuk ka benzinë, makinat tona janë të parkuara në shtëpi. Dritat ndalen çdo ditë dhe fëmijët tanë nuk janë në gjendje të studiojnë. Nuk ka as ujë. Dhe, një ditë, mund të na detyrojë të pimë vetëm nga një gllënjkë ujë. Kjo është ajo çfarë ka bërë Vëllazëria Myslimane për këtë vend. Secili egjiptian që frikësohet për vendin e tij, duhet të protestojë”, ka thënë një protestues në Sheshin Tahrir të Kajros, me emrin Amal Ahmed.

Në një tubim të ndarë, të premten në Kajro, Vëllazëria Myslimane është zotuar se do të parandalojë çdo largim të Morsit nga zyra.

Një mbështetës i presidentit, me emrin Selim, ka thënë:

“Arsyeja e protestës sonë është të riafirmojmë se ne jemi të qetë dhe të riafirmojmë legjitimitetin e presidentit Morsi dhe të zgjedhjeve. Kushdo që dëshiron të sjellë një president, duhet ta sjellë atë përmes zgjedhjeve”.

Shtetet e Bashkuara, të cilat japin miliarda dollarë ndihma për Egjiptin, si dhe Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Egjipt që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të tërhiqen nga konfrontimi.

Tensionet janë rritur në prag të protestës masive që ka paralajmëruar opozita për të dielën. Më 30 qershor është përvjetori i parë i inaugurimit të Morsit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG