Ndërlidhjet

Pushteti, "fajtor" për bllokimin e Maqedonisë


Shkup

Shkup

Analistët politik konsiderojnë se ndërtimi i dy opinioneve të ndryshme nga shqiptarët dhe maqedonasit për çështje të caktuara të një shteti, është dhe arsyeja kryesore e dallimeve që del së fundmi edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës BDI dhe VMRO DPMNE, pas dështimit të Maqedonisë për të shënuar progres sa i përket procesit të integrimit në samitin e qershorit të BE-së.

“Këto nuk janë divergjenca mes partnerëve të koalicionit qeverisës, VMRO dhe BDI, por këto dallime paraqesin konceptin e maqedonasve dhe shqiptarëve në vend. Maqedonasit kanë konceptin e tyre dhe nuk dëshirojnë për asnjë kusht të ndryshojnë emrin dhe kjo është ajo që Maqedoninë më shumë se njëzet vjet e mban peng, thënë kushtimisht, në frigorifer”, shprehet Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për marrëdhënie ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike

Ndryshe, përderisa partia shqiptare në pushtet, përmes zëvendësvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Fatmir Besimi, ka theksuar se edhe më tej mbetet e përkushtuar në agjendën evropiane, kryeministri Nikolla Gruevski për të përditshmen maqedonase "Dnevnik" është shprehur se Evropa i ka bërë thirrje se do ta nxjerrë BDI-në nga Qeveria nëse ai nuk lëshon pe për sa i përket kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë.

"Na çojnë 'haber' se BDI-në do të mund ta nxjerrin çdo moment nga Qeveria, në qoftë se ata ashtu vendosin, me çka bie menjëherë Qeveria", është shprehur Gruevski.

Për Stevo Pendarovskin, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit Gruevski se BE-ja ushtron trysni ndaj tij për të ndërruar emrin, konsideron se realiteti është i tillë që kreu i qeverisë dëshiron që fajin ta hedh kudo, por jo te vetja.

“Raportet e komunitetit ndërkombëtar janë të tilla siç janë, ngase gjendja në Maqedoni nuk bën dhe jo se dikush bën trysni plotësuese për të detyruar të zgjidhet çështja e emrit”, thekson Pendarovski, ligjërues në Universitetin e Nju Jorkut duke shtuar se konfrontimi i kryeministrit maqedonas, me komunitetin ndërkombëtar rrënjët i ka që para disa vjetësh.

“Komunikimi mes Maqedonisë dhe komunitetit ndërkombëtar pothuajse praktikisht nuk ekziston, kështu këto porosi të dala nga kreu i Qeverisë nuk i drejtohen Brukselit dhe Uashingtonit, sepse komunikimi është i ndërprerë me ta, flas për komunikimin përmbajtjesor", thekson Pendarovski.

Nga ana tjetër, Arsim Sinani vlerëson se deklarimet e fundit të zyrtarëve shqiptarë në qeveri, të cilat nuk përputhen me ato të kolegëve të tyre maqedonas, janë porosi e qartë si për opinionin e brendshëm, ashtu dhe për atë ndërkombëtar se shqiptarët duan me çdo kusht Maqedoninë ta mbajnë në agjendën e integrimeve euroatlantike.

“Shqiptarët në Maqedoni janë ata që procesin e euro-integrimeve janë duke e mbajtur në vijë. Unë nuk pres të ndodhë diçka spektakulare, gjithçka varet nga ajo sa janë të gatshëm maqedonasit ta bëjnë kompromisin e madh dhe me atë kompromis, Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe NATO. Maqedonia nuk ka perspektivë nëse s'i zgjidh këto probleme, në të kundërtën do të shfaqen kriza”, thekson Sinani.

Analistët politikë pajtohen se pushteti me veprimet e tij dëshmon se pikërisht ajo është pengesa kryesore që mbyll portën e integrimeve në BE, ngase si anëtare do të detyrohej të hiqte dorë nga praktika të caktuara, të cilat janë në kundërshtim me normat demokratike, duke theksuar se ky konfrontim, gjithnjë e më i theksuar nga ana e Qeverisë ndaj BE-së, në fakt paraqet dëshmi se nuk ka vullnet që Maqedonia të jetë pjesë e familjes evropiane.
XS
SM
MD
LG