Ndërlidhjet

VV: LDK servile e Thaçit, AAK parti e haraçit


Logo e LDK-së

Logo e LDK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar akuza të ashpra në drejtim të dy subjekteve tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Përderisa LDK-në dhe liderin e saj, Isa Mustafa, kjo lëvizje i ka cilësuar si servilë të PDK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi, subjektin tjetër, AAK-në, e ka akuzuar për haraç dhe fajde ndaj bizneseve dhe qytetarëve në rajonin e Dukagjinit.

Njëri nga aktivistët e këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, gjatë një konference për gazetarë, ka thënë se haraçi dhe fajdet në rajonin e Dukagjinit, nëpër komunat që udhëhiqen nga AAK-ja, janë një realitet i hidhur për të cilin flet çdo qytetar i atjeshëm.

“Institucionet e Kosovës, si prokuroria, si policia, janë të vetëdijshme për këto çështje për të cilat po flas, sepse ato ndodhin në prezencë të policisë së Kosovës. Në Deçan ka ndodhur që në mbi pesë apo gjashtë raste janë sulmuar grupe të caktuara me armë zjarri në shesh dhe personat në fjalë sot enden të lirë, në Deçan e madje edhe në Prishtinë”, ka thënë Molliqaj.

Prokuroria dhe policia, sipas tij, janë të kontrolluara nga PDK-ja, andaj edhe LDK dhe AAK mbahen të shantazhuara dhe nuk ndiqen penalisht, ngase si të tilla shërbejnë që t’i zbatojnë politikat e kryeministrit Thaçi.

Kurse, në rastin e LDK-së dhe Isa Mustafës, Molliqaj ka thënë se ky subjekt politik dhe lideri i tij janë thellësisht servilë ndaj partisë në pushtet.

Akuzat e Vetëvendosjes ndaj partive opozitare pasojnë distancimet e LDK-së dhe AAK-së nga veprimet e Vetëvendosjes më 27 qershor, gjatë protestës kundër ratifikimit të Marrëveshjes me Serbinë, dhe veprimet brenda Kuvendit të Kosovës, kur Vetëvendosje po përpiqej të pengonte procedurën e vendimmarrjes dhe votimit.
XS
SM
MD
LG