Ndërlidhjet

SHBA i kërkon Ekuadorit të mos i japë azil Snowdenit


Edward Snowden
Edward Snowden
Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, ka thënë se nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka kërkuar vendit të tij që të refuzojë kërkesën për azil të ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili akuzohet se ka nxjerrë detaje të programeve të mbikëqyrjes të SHBA-së.

Correa ka thënë se Ekuadori do të konsultohet me Shtetet e Bashkuara para se të marrë vendimin, porse “në fund të fundit, do të vendosë vetë nëse do të ofrojë azil”.

Snoëden përballet me akuzat për spiunazh në SHBA dhe Uashingtoni ka kërkuar që ai t’iu dorëzohet autoriteteve amerikane.

Informacioni i fundit vazhdon të jetë se Snowden fshihet në një aeroport të Moskës.

Njoftimi i Correas vjen në të njëjtën kohë kur një revistë gjermane thotë se ka parë një dokument sekret amerikan, të siguruar nga Snowden, i cili tregon se Bashkimi Evropian ka qenë në shënjestër të mbykëqyrjes nga Shtetet e Bashkuara.

Raporti në “Der Spiegel” thotë se Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së ka përgjuar ose mbledhur komunikimet nga zyrat e BE-së në Bruksel, Uashington dhe në Kombet e Bashkuara.

Spiunazhi përfshin përgjimet në rrjetet e brendshme kompjuterike të BE-së, të cilat i kanë ofruar qasje Agjencisë për Siguri Kombëtare në e-maile dhe dokumente.

Raporti citon një dokument të shtatorit, 2010.

Snowden ka kërkuar azil në Ekuador rreth një javë më parë, pasi ka ikur nga Hong Kongu për në Moskë.

Presidenti i Ekuadorit, Correa ka thënë se ka folur me Bidenin përmes telefonit, në lidhje me rastin.

“Natyrisht, kemi folur për Snoëdenin. Biden ka paraqitur një kërkesë të sjellshme të Shteteve të Bashkuara, që ne të refuzojmë kërkesën për azil”, ka thënë Correa.

Që nga viti i kaluar, Ekuadori i ka dhënë strehim në ambasadën e tij në Londër themeluesit të WikiLeaks-it, Julian Assange.

Assange kërkohet për t’u marrë në pyetje nga Suedia në lidhje me një rast të sulmit seksual. Ai thotë se ka frikë se mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për t’u ndjekur penalisht për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete amerikane në WikiLeaks.

Correa ka sqaruar se Ekuadori nuk mund të shqyrtojë kërkesën e Snowdenit, sepse ky i fundit nuk ka arritur ende në territorin e Amerikës Jugore.

“Ne nuk mund të shqyrtojmë kërkesën e Snoëdenit sepse ai nuk është në tokën e Ekuadorit. Kur të arrijë, nëse arrin, do ta shqyrtojmë. Opinionet e para që do t’i marrim, do të jenë nga Shtetet e Bahskuara. Do të dëgjojmë secilin, por vendimi do të merret nën sovranitetin tonë”, ka thënë Correa.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të shpjegojnë operacionet e tyre të spiunimit në mbarë botën, në vend se të përqendrohen vetëm në kapjen e Snoëdenit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG