Ndërlidhjet



Pjesëmarrja e të rinjve në politikë, është një nga proceset më të rëndësishme për një vend, pasi që në njërën anë përgatitet klasë e re politike, dhe nga ana tjetër, në vendet me probleme, të rinjtë duhet të flasin për çështjet e tyre. Kështu thonë të rinjtë për rubrikën VOX të Radios Evropa e Lirë , të cilët janë pyetur se kur dhe a duhet të rinjtë herët të merren me politikë.

Në programet e partive politike në Kosovës, sigurisht, që figurojnë edhe problemet e rinisë, por sa zbatohen apo implementohen ato programe?

Së fundmi, në disa komuna të Kosovës shumë të rinj janë inkuadruar në subjektet politike.

Kaltrina Ajeti nga Prishtina konsideron se koha më e mirë që të rinjtë të jenë pjesë e partive politike, është pasi ata të kenë të përfunduar universitetin.

"Realisht, mendoj se nuk ka një moshë fikse se kur të rinjtë duhet të inkuadrohen në politikë. Mjafton të kesh përvojë, të kesh përgatitjen profesionale. Megjithatë, mendoj se do të ishte mirë që inkuadrimi të bëhet rreth moshës 30-vjeçare, do të thotë pasi ta kenë përfunduar shkollimin. Në moshën 30-vjeçare është mirë të inkuadrohesh. Kështu që veç aftësisë, duhet të kesh edhe dikë që të ndihmon, pak shokë edhe pak përkrahje nga subjekti", thotë Kaltrina.

Në mënyrë që të përmirësohet roli i të rinjve në shoqëri dhe që të mbrohen të drejtat e të rinjve, thotë Donika Dobruna, ata të rinj të cilët duan të merren me politikë në të ardhmen, duhet sa më parë të jenë pjesë e subjekteve politike.

"Mendoj se shumë shpejt duhet të vijë koha që të rinjtë të inkuadrohen në politikë për shkakun se duhet të dëgjohet zëri i të rinjve për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, ta përmirësojnë rolin e tyre në shoqëri, edhe të jenë njerëz që do t’i ndryshojnë qëndrimet në politikë për të mirë. Absolutisht, është e vështirë të gjendet një vend pune, është e vështirë të jehs pjesë e vendimmarrjes në politikë, që mendoj se këtu është edhe faji i rinisë", shprehet Donika.

Kurse, Gazmir Shoshi thotë se mosha mesatare kur të rinjtë duhet të merren me politikë, është ajo pas 20 vjeç:

"Koha më e mirë, kur unë mendoj që të rinjtë duhet të hynë në politikë është kur një i ri kalon 20 vjet ose pasi ai ta ketë të kryer fakultetin. Mendoj kështu se në këtë moshë as nuk humb kohë për të përfunduar studime dhe ke kohë të merresh më shumë me ato gjëra që ti mendon".

Kurse, Fitore Rexhepi, studente e Shkencave politike, konsideron se të rinjtë në parti politike duhet të inkuadrohen pasi ata vetë t’i kenë ta qarta idetë e tyre në atë rrafsh.

"Unë po shpresoj dhe mendoj që këta të rinj, të cilët po hyjnë në parti politike, liderët e tyre nuk po i pjesëtojnë me vota. Dhe, ndonjëherë kjo shpërndarje e librezave, që po i shohim shpesh në kronikat e mediave, po duken që po pjesëtohen me vota. Megjithatë, mendoj se të rinjtë në parti politike duhet të inkuadrohen në subjekte politike atëherë kur i kanë idetë e qarta politike. Po ashtu, duhet të mendojnë se a pajtohen me programet e atyre partive se shpesh ndodh që hyjnë e pastaj janë të pakënaqur", thotë Fitorja.

Rinia është ajo që bën revolucionin, që ndërton të ardhmen e që krijon zhvillimin thotë Fëllënza Bajçinovci, një tjetër e re nga Prishtina:

"Nëse marrim parasysh këto vitet e fundit vërejmë se të rinjtë kanë ardhur në pah që kanë hyrë në parti politike. P.sh kemi ministra të rinj dhe vërehet që puna dhe politika e tyre është më evropiane dhe pëlqehet nga masa. Prandaj mendoj se duhet që të rinjtë të hyjnë në politikë dhe të merren me të kur ata mendojnë se mund të bëjnë diçka të mirë për vendin".

Kurse, Astrit Prenka thotë se nuk i pëlqen të merret me politikë dhe nuk e ka ndërmend të merret me atë profesion.

"Unë nuk merrem dhe nuk kam qejf hiç të merrem me atë profesion", shprehet i sigurt Astriti.

Ndërkaq, Arianit Preshimi, thotë:

"Mendoj që të rinjtë duhet të merren me politikë atëherë kur ata e kanë një kohë më të lirë. Kurse për t’u marrë rrënjësisht me politikë një i ri duhet të ketë një pjekuri më të madhe. Për të rinjtë, partitë politike janë të hapura, po unë mendoj se nuk ke kurrfarë përfitimi".

Sido që të jetë, të rinjtë kosovarë thonë se nuk u besojnë partive politike që veprojnë në Kosovë, por megjithatë, ata pohojnë se kur janë zgjedhjet, dalin dhe votojnë për shkak se është obligim qytetar, derisa pranojnë se do të anëtarësoheshin në ndonjë parti, për të zënë një vend pune më lehtë derisa e kanë një librezë partiake.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG