Ndërlidhjet

FT: Le të udhëheqë Kroacia Ballkanin në BE!


Flamuri i Kroacisë në mesin e flamujve të tjerë të Bashkimit Evropian

Flamuri i Kroacisë në mesin e flamujve të tjerë të Bashkimit Evropian

Romancieri James Joyce ka shkruar se “historia është një ankth, nga i cili dua të zgjohem”.

Njëzet vjet më parë, kroatët kanë jetuar këtë ankth, të mposhtur nga urrejtja rajonale dhe të rrënuar nga lufta. Të hënën, vendi i tyre është bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Kroacia, jo vetëm që është zgjuar nga ankthi i saj historik, por ka realizuar edhe ëndrrën e së ardhmes euro-atlantike.

Me këtë hyrje nis shkrimin nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në gazetën britanike Financial Times.

Ai thotë se suksesi i Kroacisë është testament për kurajën e qytetarëve dhe të udhëheqësve të saj, të cilët kanë kapërcyer joshjen nga ultranacionalizmi. Tejkalimi i së kaluarës është një luftë e përdisthme. Dhe, nga dita në ditë, kroatët kanë besuar në një vizion ambicioz dhe kanë ndërtuar institucione demokratike, që kanë hapur dyert e NATO-s dhe tani të BE-së.

Kjo arritje i përket popullit kroat, shkruan Biden. Por, ajo po ashtu flet për fuqinë transformuese të projektit evropian, e cila udhëzon vendet në sundim të ligjit, hapje të tregjeve, prosperitet dhe paqe.

Kroacia është shumë më larg sesa mendojnë disa. Ajo ka qenë aleate e NATO-s qysh më 2009 dhe kontribuese në sigurinë mbarëbotërore, përfshirë Afganistanin. Tani, kontribuon me misione paqeruajtëse në Kosovë, Haiti dhe në Saharan Perëndimore.

Hyrja e Kroacisë në BE ngre po ashtu stimuj për fqinjët, të cilët rrezikojnë të mbesin prapa. Me kalimin e kohës, kufijtë e BE-së duhet t’i bashkojnë vendet e Evropës juglindore, në vend se t’i ndajnë ato. Por së pari, shkruan Biden, fqinjët e Kroacisë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira që do t’i hapin shtigjet e tyre drejt Evropës.

Është në interesin e Shteteve të Bashkuara, Kroacisë, dhe pjesës tjetër të Evropës që ata të kenë sukses. Çdo vend që obligon veten me rregulla të BE-së na sjell më pranë synimit për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

Në muajt e fundit, kam takuar disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Jam i bindur se nëse bëjnë zgjedhje të drejta, secili fqinj i Kroacisë do të arrijë BE-në.

Serbia dhe Kosova kanë qenë të ngërthyera në një luftë të thellë dhe të hidhur - deri më tani. Përmes dialogut, bashkëpunimit dhe kompromiseve të dhimbshme, kryeministrat Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi kanë arritur marrëveshje historike për normalizimin e marrdhënieve. Hapat e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë, por këta udhëheqës u kanë dhënë qytetarëve të tyre një mundësi të paparë për të ndërtuar një të ardhme, të definuar nga respekti për të drejtat, prosperiteti i përbashkët dhe bashkëjetesa paqësore, shkruan zyrtari i lartë amerikan.

Mali i Zi dhe Shqipëria po ashtu kanë punë të vështira për të bërë, por janë duke shënuar përparim drejt integrimit evropian me realizimin e reformave ekonomike dhe politike, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Maqedonia duhet t’i qëndrojë kursit të reformave, të adresojë tensionet ndëretnike dhe, së bashku me Greqinë, të gjejë kurajë për zgjidhje të pranueshme të emrit të saj.

Në Sarajevë, katër vjet më parë, u kam thënë politikanëve dhe zyrtarëve se dyert janë të hapura për Bosnjën, për t’u bërë pjesë integrale e Evropës, dhe se Shtetet e Bashkuara duan ta ndihmojnë. Kjo kërkon marrëveshje për të eliminuar dispozitat kushtetuese, të cilat diskriminojnë pakicat.

Asnjë vend nuk mund të lërë plotësisht prapa historinë ose të harrojë tragjeditë e veta. Dhe, as që duhet të bëjë një gjë të tillë. Por, vendet duhet të veprojnë për mirëqenien e brezave të rinj. Kjo është ajo çfarë ka bërë Kroacia. Ëndrrat që dukeshin të pakapshme 20 vjet më parë, sot janë të mrekullueshme dhe të pakthyeshme.

Kjo është arsye për të festuar dhe rikujtim për atë që është e mundur, shkruan nënpresidenti amerikan, Joe Biden, në britaniken Financial Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG