Ndërlidhjet

Opozita: Presidentja u ndikua për datën e zgjedhjeve


Zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në njoftimin e presidencës është thënë se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përmbyllur konsultimet me liderët politikë, dhe ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës.

Mirëpo, subjektet opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë kundërshtuar këtë datë dhe kanë thënë se presidentja Jahjaga nuk ka marrë në konsiderate propozimet e subjekteve politike për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se kjo datë do ta vë në vështirësi mbajtjen e zgjedhjeve.

Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së tha për Radion Evropa e Lirë, se presidentja e vendit është ndikuar, veç tjerash, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës për ta caktuar datën 3 nëntor për zgjedhjet lokale.

“Ne mendojmë se presidentja ka qenë e ndikuar, e ndikuar edhe nga vendoret. Dyshimet tona janë edhe në PDK-në. Pa asnjë arsye e ka prolonguar shpalljen e zgjedhjeve dhe ndodhi kjo që ndodhi, u shpallen me 3 nëntor. Sigurisht që për ne është e qartë dhe e konsiderojmë të rëndësishme që zgjedhjet do të mbahen në gjithë vendin".

"Por po ashtu jemi të bindur që kjo do të mund të ndodhte edhe po të shpalleshin më herët. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta ndryshojmë datën po nuk është e mirëpritur dhe mendojmë që presidentja nuk ka qenë në nivel të detyrës”, tha Beqiri.

Presidenca: LDK me votimin e marrëveshjes pranoi datën

Pas këtyre deklaratave të dhëna nga zyrtarë të LDK-së, zyra për media e presidencës së Kosovës ka sqaruar duke thënë se vetë votimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nënkupton dakordimin për këtë datë.

“Vendimi për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale është marrë pas një varg konsultimesh me partitë politike parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ai reflekton edhe votimin në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë".

"Votimi në kuvend për ratifikimin e marrëveshjes ka përfshirë edhe pikën ku parashihet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në këtë rast 3 nëntorin në gjithë territorin e Republikës se Kosovës. Dhe, si i tille nënkuptohet se është i ndikueshëm", tha zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu.

Kurse në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se propozimet e subjekteve politike, për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale, ishin fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit, dhe shpallja e datës së zgjedhjeve më 3 nëntor është shkelje e Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Vetëvendosje konsideron se 3 nëntori 2013 nuk është datë që e zgjodhi Presidentja Jahjaga, as ajo vetë dhe as në konsultim me subjektet politike, por këtë e bëri kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, për interesat e tij dhe të Serbisë.

Shpend Ahmeti nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se dëshira e të gjitha subjekteve politike ka qenë që zgjedhjet të mbahen në një date tjetër e jo më 3 nentor.

“Kjo nuk është ndonjë befasi për Lëvizjen Vetëvendosje sepse e kemi thënë edhe më herët se këtë datë për herët të parë e kemi dëgjuar nga kryeministri serb Daçiq. Dhe kemi thënë se kjo është tepër problematike sepse presidentja është konsultuar me të gjitha subjektet politike dhe pothuajse dëshira e të gjitha këtyre subjekteve ka qenë që zgjedhjet të mbahen në fillim të tetorit ose në fund të shtatorit".

"Ajo i ka injoruar të gjitha këto dhe në fund e ka bërë këtë subjekt të negociatave me Serbinë. Prandaj, mendojmë që është e padrejtë që Serbia po vendosë për datën e zgjedhjeve në Kosovë”
, tha Ahmeti.

Nga, ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për shpalljen datës 3 nëntor ditë të zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.

“Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 kanë rëndësi të veçantë, sepse mbahen në Kosovën e lirë, demokratike, për herë të parë pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, është thënë në një komunikatë të PDK-së.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mirëpritur dhe e përshëndetur vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për shpalljen e datës për zgjedhjet lokale në vend, më 3 nëntor 2013.

“AAK konsideron se ky vendim është konform kohës së duhur në bazë të legjislacionit në fuqi për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në Kosovë, dhe fton spektrin politik, institucionet dhe mekanizmat kompetentë për organizimin e këtyre zgjedhjeve, që të jenë vigjilentë dhe t’i kryejnë me kohë përgjegjësitë e tyre për një proces demokratik dhe të lirë zgjedhor në mbarë vendin”, është thënë po ashtu në një deklaratën për media nga AAK-ja.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.
XS
SM
MD
LG