Ndërlidhjet

Duket se një ndjenjë e pretendimit të tmerrit, në Francë, Gjermani dhe në qeveritë e vendeve të tjera evropiane, është shprehur prej se gazeta gjermane Der Spiegel, raportoi fundjavën e kaluar se Agjencia Kombëtare e

Sigurisë i ka përgjuar zyret diplomatike dhe i ka monitoruar sistemet e tyre të brendshme kompjuterike, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja New York Times.

Gazeta shkruan se spiunimi i aleatëve duket gjë e keqe dhe është diskutuar rrallë në mënyrë publike, përveç atëherë kur, siç ka ndodhur tash, dokumentet e agjencive të spiunimit rrjedhin në shtyp.

Por, qeveritë në të dy anët e Atlantikut (dhe pothuajse çdokund) i kanë spiunuar njëlloj aleatët dhe armiqtë për një kohë të gjatë.

Ne jemi larg nga periudha kur sekretari i shtetit, Henry Stimson, në shpegimin e vendimit të tij në vitin 1929, për ta mbyllur zyrën e Departamentit të shtetit për thyerjen e kodit, tha “Zotërinjtë nuk e shikojnë postën e njëri-tjetrit”.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë (shkurtimisht N.S.A.) ishte krijuar në mënyrë sekrete në vitin1952,me mandat për t’i zënë dhe përgjuar të gjitha llojet e komunikimeve nga burimet e jashtme, duke përdorë çfarëdo lloji të pajisjeve të përgjimit, që mund të imagjinosheshin, shkruan New York Times.

Element i ri është teknologjia kompjuterike, e cila e bënë depozitimin aq të lirë dhe analizat e të dhënave aq të shpejta, sa që agjencia nuk ballafaqohet me pengesa teknike se sa shumë të dhëna do të tuboj dhe do t’i përdorë.

Kjo i bënë kufizimet politike shumë më të rëndësishme. Por, është vështirë të debatohet për një politikë të mençur, kur secili detaj mbahet sekret nga publiku.

Shumica e qeverive evropiane, me gjasë, për një kohë të gjatë, ishin të vetëdijsmhe për kapacitetet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë. Evropianët e zakonshëm, megjithatë, nuk ishin të vetëdijshëm për këtë, derisa Der Speigel, i publikoi numrat këtë javë, se sa shumë thirrje private telefonike, imejla dhe mesazhe telefonike, N.S.A.tash i monitoron në Evropë, çdo muaj.

Gazeta ka raportuar për 500 milionë njerëz vetëm në Gjermani.

Ky numër i madh ngritë dyshime se shumë përgjime të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë nuk kanë lidhshmëri me sigurinë kombëtare amerikane ose me zbulimin e terroristëve.

Por, shkruan New York Times, përgjimi i agjencisë ndaj evropianëve të zakonshëm është krejtësisht legal nën ligjin e Shteteve të Bashkuara; kjo agjenci e katë ndaluar vetëmpërgjimin e amerikanëve pa autorizim të gjykatës.

Agjencitë gjermane të inteligjencës në mënyrë të ngjashme e kanë të ndaluar t’i spiunojnë gjermanët. Është naive të vlerësohet se agjencitë aleate të inteligjencës nuk i shkëmbejnë të dhënat, të cilat për disa mund të kenë kufizime, por për të tjerët jo.

Për këtë arsye tmerri i politikanëve evropianë duket se është i fryrë, ashtu siç janë kërcënimet e tyre për pezullimin e bisedimeve për marrëveshjen tregtare trans-Atlantike (mund të ndodhë që strategjitë e negociatave kanë qenë synim i monitorimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë).

Nuk do të ishte befasi të mësohet se evropianët ishin përpjekur të grumbullojnë informacione të inteligjencës për strategjinë e negociatave të Shteteve të Bashkuara, po ashtu.

Marrëveshja ende mbetet në interesin më të mirë të të gjithë pjesëmarrësve, shkruan New York Times.

Një rezultat i mirë i zbulimeve aktuale mund të jetë riforcimi i kërkesës evropiane për rregulla më të ashpra në mbledhjen e informacioneve për individët privatë nga kompanitë dhe qeveritë.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë ndoshta nuk duhet t’i shikoj këto rregulla si kufizuese për aktivitetet e saj të fshehta, por ndoshta ato mund të ndikojnë që agjencia të jetë më tepër e kujdesshme dhe selektive në praktikat e saj.

Antagonizimi i shtetasve të disa prej aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara nuk është strategji shumë premtuese për shtimin e sigurisë ndërkombëtare, shkruan në fund të editorialit, e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG