Ndërlidhjet

Skadon ultimatumi i ushtrisë në Egjipt


Tensionet politike në Egjipt
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Tensionet politike në Egjipt

Në Egjipt ka skaduar afati i ultimatumit që ushtria i ka vënë presidentit Muhammad Morsi për të gjetur kompromis me opozitën. Ushtria ka paralajmëruar se do të zbatojë planin e saj për të ardhmen e Egjiptit nëse ultimatumi prej 48 orësh nuk respektohet.

Si qeveria islamiste e Morsit, ashtu edhe zyrtarët ushtarakë kanë thënë se janë të gatshëm të derdhin gjak në mbrojtje të vendit.

Ndërkohë, presidenti Morsi ka propozuar një qeveri konsensusi për zgjidhjen e krizës.

Përmes rrjetit social Facebook, zyra e tij ka thënë se "presidenca propozon krijimin e një qeverie koalicioni me konsensus për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare".

Vetëm pak orë para skadimit të ultimatumit, shefi i ushtrisë së Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, ka deklaruar se ushtria është e gatshme të sakrifikojë gjakun e saj për të mbrojtur vendin kundër “terroristëve”.

“Betohemi në Zotin se do të sakrifikojmë gjakun tonë për Egjiptin dhe popullin e tij, për t’i mbrojtur ata kundër terrorizmit dhe radikalizmit”, ka thënë ai.

Mbështetësit e Morsit janë zotuar se do t’i rezistojnë atij që e kanë cilësuar si “grusht-shtet”.

Qindra-mijëra përkhrahës dhe kundërshtarë të presidentit janë mbledhur në rrugët e Egjiptit për të parë se çfarë hapash do të ndërmarrë ushtria.

“Gjithçka pritet. Nuk mund të parashohim se çfarë do të ndodhë. Por, e gjitha mund të shndërrohet në luftë civile, nëse udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane insistojnë në pushtet”, ka thënë për agjencinë Reuters Najat Muhammad, kundërshtare e Morsit.

Raportet e disa mediave thonë se plani i ushtrisë përfshin një skicë për zgjedhje të reja presidenciale, pezullim të Kushtetutës së re dhe shpërbërje të Parlamentit.

Por, një zëdhënës i Vëllazërisë Myslimane, partisë së presidentit Morsi, ka thënë se ushtria nuk ka të drejtë të ofrojë një plan të tillë.

“Udhërrëfyesi është diçka që përshkruan Kushtetuta dhe drejton presidenti. Ai nuk është rol i ushtrisë”, ka thënë Gehad el-Haddad.

Përleshjet midis mbështetësve të Morsit dhe kundërshtarëve të tij kanë lënë së paku 23 njerëz të vrarë natën e kaluar në Kajro. Shifra çon në 39 numrin e njerëzve të vrarë prejse kanë nisur protestat masive, ditën e diel.

Morsi është bërë presidenti i parë islamik i Egjiptit më 30 qershor, 2012. Zgjedhjet presidenciale kanë pasuar revolucionin e vitit 2011, i cili ka çuar në rrëzimin e sunduesit veteran të Egjiptit, Hosni Mubarak.

Kritikët e Morsit thonë se ai u ka dhënë shumë pushtet islamikëve dhe ka dështuar të trajtojë problemet ekonomike.

Jostabiliteti ka goditur edhe çmimet globale të naftës, duke çuar çmimin e naftës së papërpunuar në SHBA në mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga shtatori i vitit të kaluar. Kjo ka ndodhur për shkak të frikës se rrugët e furnizimit përmes Kanalit të Suezit mund të ndikohen nga kriza. (v.tela)
XS
SM
MD
LG