Ndërlidhjet

Jahjaga fton serbët të dalin në zgjedhje lokale


Shtëpce - Presidentja Atifete Jahjaga takon qytetarët e komunës me shumicë serbe, gjatë një vizite që i bëri kësaj treve, 03Korrik2013

Shtëpce - Presidentja Atifete Jahjaga takon qytetarët e komunës me shumicë serbe, gjatë një vizite që i bëri kësaj treve, 03Korrik2013

Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga i ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve të vendit, dhe ne veçanti serbëve që jetojnë në veri, që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme komunale.

Një ditë pasi dekretoi datën e zgjedhjeve lokale për 3 nëntor, presidentja vizitoi komunën e Shtërpces, prej ku porositi se kjo komunë me shumicë serbe është model për komunitetin serb se si pjesëmarrja e tyre është shpërblyer me të qenit zot shtëpie.

“Dëshiroj që t’u bëjë ftesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, që të marrin pjesë në mënyrë sa më masive në zgjedhje të lira, në zgjedhje demokratike dhe në zgjedhje të ndershme, që të ushtrojnë të drejtën e tyre që t’i zgjedhin përfaqësuesit që flasin në emër të tyre dhe që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së tyre dhe mirëqenies së tyre”, tha ajo.

Sipas presidentes, marrëveshja e arritur në Bruksel, ku është nxjerr edhe pajtimi për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, është një proces shumë pozitiv, sepse për herë të parë mbahen zgjedhjet në gjithë territorin e vendit.

“Për mua si Presidente e vendit është me rëndësi që të kemi zgjedhje të lira, demokratike, të kemi zgjedhje fer, që te kemi pjesëmarrje sa më masive të gjithë qytetarëve dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë që përmes votës së tyre t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim”, citohet të ketë presidentja në një komunikatë për shtyp, që u dërgoi medieve zyra e saj.

Gjatë vizitës në Shtërpcë, presidentja është pritur nga kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq dhe nënkryetari Beqir Fejzullahu.

Kryetari i komunës së krijuar sipas planit Ahtisaari njoftoi presidenten Jahjaga me aktivitetet që zhvillohen në këtë komunë dhe theksuan se ajo është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në gjithë Kosovën.

Kryetari Nikoliq tha se komuna e Shtërpcës ka arritur rezultatet të mira, posaçërisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në rregullimin e infrastrukturës, si dhe në projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe të turizmit malor.

Sipas tij, Shtërpca ka nevojë për një mbështetje institucionale, posaçërisht në avancimin e projektet për qendrën e skijimit në Brezovicë dhe për ndihmë fermerëve vendorë.
XS
SM
MD
LG