Ndërlidhjet

logo-print

Ushtria e Egjiptit përmbys presidentin

  • RFE /RL

Ushtria e Egjiptit ka përmbysur presidentin Mohamed Morsi, pas disa ditësh protesta kundër tij, të cilat kanë mbledhur miliona njerëz në rrugë.

Gjenerali Abdel Fattah al-Sisi ka thënë se kreu i Gjykatës Kushtetuese do të shërbejë si lider i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja presidenciale.

Duke folur në televizionin kombëtar, al-Sisi ka thënë se Morsi “ka dështuar të përmbushë kërkesat e popullit egjiptian”.

“Kemi shpresuar në arritjen e një dialogu kombëtar, i cili do të ndalonte dhunën dhe do të siguronte stabilitet për popullin egjiptian. Por, deklarata e presidentit nuk ka qenë në përputhje me kërkesat e popullit dhe kjo ka detyruar forcat e armatosura që të bisedojnë me disa figura kombëtare dhe politike, ashtu si edhe me të rinjtë. Gjatë bisedimeve, të pranishmit janë pajtuar për një plan, i cili përfshin masa fillestare për ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të bashkuar egjiptiane”, ka thënë komandanti ushtarak, al-Sisi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kushtetuta e Egjiptit, e cila është thënë se është hartuar nga ligjvënësit islamistë, do të pezullohet.

Derisa ka bërë njoftimin, al-Sisi ka qenë i rrethuar nga udhëheqës politikë dhe fetarë, si dhe gjeneralë të lartë.

Udhëheqësi i opozitës egjiptiane, Mohamed ElBaradei, ka thënë se plani i ushtrisë është mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës.

“Plani që është vënë në veprim është korrigjim i rrugës së revolucionit të 25 janarit dhe përgjigje e kërkesave të popullit egjiptian. Plani garanton realizimin e kërkesës kryesore për zgjedhje të parakohshme presidenciale. Plani përfshin edhe fillimin e pajtimit kombëtar përmes krijimit të një komiteti, kështu që ne mund të bëhemi përsëri një popull i bashkuar”, ka thënë ElBaradei.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Morsi ka thënë se masat e shpallura janë “grusht-shtet ushtarak” dhe “krejtësisht të papranueshme”.

Ai u ka bërë thirrje mbështetësve që të mos i përgjigjen “grusht-shtetit”. Vendndodhja e Morsit nuk është e qartë. Një ndihmës i ka thënë agjencisë AP se Morsi është zhvendosur në një vend të fshehtë.

Njoftimi i al-Sisit është pritur me brohoritje nga mijëra protestues të mbledhur në Sheshin Tahrir të Kajros.

“Le të rrojë i lirë dhe i pavarur Egjipti”, kanë thënë ata.

Ushtria po ashtu ka bërë të ditur se ka mbyllur tre stacione televizive, të udhëhequra nga islamistët, përfshirë edhe një që udhëhiqej nga Vëllazëria Myslimane e Morsit.

Në Uashington, presidenti Barack Obama ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” me veprimin e ushtrisë. Ai ka shtuar se Uashingtoni do që të shohë së shpejti instalimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt.

Obama po ashtu ka thënë se administrata e tij është duke shqyrtuar ndihmën e huaj për këtë vend.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mirette Mabrouk, zëvendësdrejtore për programet rajonale në Qendrën Rafik Hariri të Këshillit Atlantik, ka thënë se veprimi ushtarak është grusht-shtet, por me mbështetjen publike.

Mendoj se po, është grusht-shtet ushtarak, por grusht-shtet ushtarak me mbështetje dërrmuese të publikut. Mendoj se nuk do të ndodhte nëse ushtria nuk do të dinte se ka mbështetje të madhe publike për këtë. Mendoj se ushtria ka dashur të jetë në anën e duhur”, ka thënë Mabrouk.

Në ditët e fundit, Egjipti ka parë protesta masive kundër dhe në mbështetje të qeverisë së Morsit. Kritikët kanë thënë se ai u ka dhënë shumë pushtet islamistëve dhe ka dështuar të trajtojë problemet ekonomike. Përleshjet midis protestuesve rivalë kanë çuar në dhjetëra të vrarë.

Ushtria i ka vënë ultimatum prej 48-orësh qeverisë dhe opozitës, që të arrijnë kompromis, por ato kanë dështuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ushtria ka marrë vendim për përmbysjen e Morsit me qëllim zgjidhjen e tensioneve politike, kanë thënë zyrtarë të saj.(v.tela)
XS
SM
MD
LG