Ndërlidhjet

logo-print

Kreu i Gjykatës Kushtetuese merr udhëheqjen e Egjiptit


Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Adli Mansour, është betuar në postin e presidentit në detyrë të Egjiptit, pasi ushtria ka përmbysur presidentin islamik, Muhammad Morsi.

Në ceremoninë e betimit, Mansour ka vlerësuar ushtrinë dhe protestat masive që kanë çuar në largimin e Morsit. Ai ka thënë se egjiptianët duhet të ruajnë idealet e revolucionit të vitit 2011 dhe jo “të adhurojnë” një lider.

Mansour ka thënë se Vëllazëria Myslimane e Morsit është pjesë e popullit dhe se është e mirëpritur të ndihmojë në ndërtimin e shtetit.

Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve MENA thotë se prokurorët kanë urdhëruar arrestimin e dy udhëheqësve të lartë të Vëllazërisë.

Sipas burimit të njëjtë, fletarrestimet janë lëshuar për udhëheqësin shpirtëror të Vëllazërisë Myslimane, Muhammad Badie, nën akuzat se ka nxitur vrasjen e protestuesve paqësorë, si dhe për zëvendësin e tij, Khayrat al-Shater, nën akuza të njëjta.

Të mërkurën, komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdul Fattah al-Sisi, ka thënë para kombit se Morsi është përmbysur për shkak se ka dështuar të përmbushë kërkesat e popullit.

Ushtria po ashtu ka pezulluar Kushtetutën e hartuar nga islamistët dhe ka premtuar zgjedhje të reja.

Në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” me veprimin e ushtrisë në Egjipt dhe ka thënë se administrata e tij është duke shqyrtuar ndihmën e huaj për këtë vend.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka kërkuar nga egjiptianët që të vazhdojnë rrugën drejt demokracisë.

“Ne kurrë nuk mbështesim ndërhyrjen e ushtrisë në vende. Por, ajo çfarë duhet të ndodhë tani në Egjipt, është lulëzimi i demokracisë. Të gjitha palët duhet të jenë të përfshira në këtë. Kjo është ajo që Britania dhe aleatët tanë do t’iu thonë egjiptianëve”, ka thënë Cameron.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka bërë thirrje për “qetësi, dialog dhe përmbajtje”. Ai po ashtu ka kërkuar rifillim të shpejtë të sundimit civil.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherie Ashton, u ka kërkuar të gjitha palëve që me shpejtësi t’i kthehen procesit demokratik.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka thënë se zhvillimet në Egjipt janë “pezullim serioz i demokracisë”.

Ai ka thënë se Berlini është duke vëzhguar zhvillimet në Egjipt “nga afër dhe me shqetësim të madh”.

Westerwelle u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të angazhohen në dialog demokratik.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka kërkuar po ashtu shmangie të dhunës.

Vendet arabe, kryesisht, kanë mbështetur rënien e Morsit. Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullahu, ka uruar Adli Mansourin për zgjedhjen në postin e presidentit të përkohshëm të Egjiptit.

Shtetet e Gjirit Arab, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë mirëpritur po ashtu lajmin për përmbysjen e Morsit.

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se rënia e tij është një “arritje e madhe”.

Fqinji më i rëndësishëm i Egjiptit, Izraeli, ka qenë i heshtur ndaj zhvillimeve.

Turqia, megjithatë, ka thënë se përmbysja e Morsit është jodemokratike.

Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag ka thënë se ndërhyrja ushtarake nuk reflekton dëshirën e popullit dhe u ka bërë thirrje egjiptianëve “që t’i kthehen demokracisë”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG