Ndërlidhjet

Veriu konstituon “Kuvendin e paligjshëm”


Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të enjten në Zveçan, e kanë konstituuar të ashtuquajturin “Kuvend i përkohshëm i Kosovës dhe Metohisë”, ndërkaq drejtues të tij e kanë zgjedhur Slavko Stevanoviqin.

Ky i fundit ka thënë se vetëm një Serbi demokratike dhe e fortë ekonomikisht mund ta ndihmojë popullin serb në Kosovë, por, megjithatë, serbët e veriut, sipas tij, nuk mund të pranojnë integrime të dhunshme në institucionet e Kosovës.

Ne nuk mund të pranojmë që çmimi për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, të jetë humbja e territorit dhe integrimi i dhunshëm në institucionet e një shteti që nuk është njohur”, ka theksuar Stevanoviq.

Në mbledhje kanë marrë pjesë 97 përfaqësues të serbëve, të cilët kanë bërë betimin dhe kanë miratuar deklaratën për të ashtuquajturin “Kuvend i përkohshëm i Kosovës dhe Metohisë”, ku thuhet se ky kuvend është trup përfaqësues i qytetarëve serb në Kosovë, të cilët e respektojnë Kushtetutën e Serbisë.

Stevanoviq, po ashtu ka theksuar se veprimi i sotëm i përfaqësuesve të serbëve të veriut është tentim që Kosova “të kthehet nga humbëtira dhe e padrejta në terrenin e Kushtetutës së Serbisë”.

Ljubomir Radoviq, përfaqësues serb nga Zveçani, ka theksuar se serbët e veriut nuk do ta zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe se nuk do të dalin në zgjedhjet që do t’i organizojnë institucionet e Kosovës.

“Ne e dimë rrugën tonë. Ne nuk do të shkojmë me Prishtinën. Kryeqyteti ynë është Beogradi. Shti ynë është Srbia dhe nuk dëshirojmë shtet dhe shtetësi tjetër”, ka thënë Radoviq.

Në anë tjetër, në mbledhjen e sotme të përfaqësuesve të serbëve të veriut nuk ka marrë pjesë askush nga Qeveria e Serbisë.

Vendimin e përfaqësuesve të serbëve të veriut e kanë quajtur të dëmshëm zyrtarët e institucioneve në Beograd.

Milovan Dreçun, kryetar i këshillit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë ka thënë se me këtë veprim serbët në veri e dobësojnë pozicionin e Serbisë në veriun e Kosovës.

“Nuk ka hapësirë për çfarëdo lloj organizimi tjetër, për shkak se çfarëdo që bëhet në kundërshtim me politikën shtetërore, do të sjell paralelizëm në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kjo nuk mund të forcojë, por ta dobësoj pozicionin e Serbisë dhe popullit serb”, ka thënë Dreçun.

Vendimin e përfaqësuesve serb të veriut e ka kritikuar edhe njëri prej liderëve serb të veriut, Oliver Ivanoviq.

Sipas tij, serbët e veriut me këtë po hyjnë në një konflikt të thellë me Qeverinë e Serbisë.

Është e kuptueshme që Serbia nuk do ta mbështesë këtë veprim. Aq më shumë edhe për faktin se ky ‘Kuvend” mund të bie ndesh me Bashkësinë e komunave serbe, e cila do të formohet pas zgjedhjeve, të cilat Serbia i mbështetë, ndërsa OSBE i organizon në këtë hapësirë. E gjithë kjo vetëm mund të krijojë huti te bashkësia serbe dhe nuk do të sjellë asgjë të mirë”, theksoi Ivanoviq.

Ndryshe, konstituimi i këtij të ashtuquajturi "kuvend" në veri të Kosovës, nga përfaqësuesit serb atje, ishte paralajmëruar për 6 qershor, por ishte shtyrë, siç ishte thënë, për të mos u fajësuar serbët e veriut të Kosovës, për mosmarrjen eventuale të datës për Serbinë, për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE.
XS
SM
MD
LG