Ndërlidhjet

Për të përmirësuar imazhin e së kaluarës nga i cili ndiqej Maqedonia, me një diplomaci jo në nivelin e duhur të profesionalizmit, Qeveria synon që përmes konkursit publik në të cilin janë paraqitur më shumë se 700 kandidatë për 18 vende ambasadorësh, të zgjedh më të mirët për ta përfaqësuar shtetin në vendet ku ka përfaqësi diplomatike.

Bekim Kadriu, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në USHT, thotë se apriori nuk duhet gjykuar se kjo nismë se do të dështojë, duke iu referuar praktikës nga e kaluara ku butoni partiak ishte vendimtar për t'u zgjedhur ambasadorë, megjithëse ai shpreh një dozë të skepticizmit që disa institucione që bëjnë përzgjedhjen e ambasadorëve të përdorin influencën në momentin e caktuar.

“Këtu ne hasim në një moment ku gjithmonë neve na preokupon dhe gjithmonë na paraqitet si pengesë për realizimin e këtyre kritereve objektive dhe ajo është ndikimi i politikës. E dimë mirëfilli se deri më sot, me disa përjashtime të vogla, ndikimi i politikës gjatë emërimit të diplomatëve ka qenë shumë e madhe. Gjithmonë aty është bërë kompromisi mes partnereve qeveritarë në kuptimin se janë anashkaluar kriteret objektive dhe kanë mbisunduar kriteret politike”, thekson Kadriu.

Por, Risto Nikovski, ish diplomat, shprehet më optimist se kësaj radhe përzgjedhja e kandidatëve për postin e ambasadorëve do të bëhet duke respektuar përmbushjen e kritereve.

Ai thekson se në mesin e 700 kandidatëve të paraqitur ka personalitete vërtetë të dëshmuara në rrafshin ndërkombëtarë.

“Po mund të them se të gjithë kanë shanse të barabarta, ju e dini se në stafin më të lartë të qeverisë ka personalitete të ardhur nga Amerika ose vendet evropiane dhe të cilët kurrë s'kanë pasur librezë partiake, flas për një pjesë të ministrave të VMRO-DPMNE-së, pse mos besoj se shanset janë të njëjta edhe për të gjithë kandidatët për diplomat. Vërtetë jam i mendimit se nuk bëhet fjalë për blof”, thotë Nikovski.

Sipas tij përzgjedhja e diplomatëve profesional është me rëndësi për momentin për të lobuar në forma të ndryshme sa përket zhbllokimit të procesit të integrimit.

Por me këtë nuk pajtohet Bekim Kadriu, duke shtuar se teoritikisht veprimi i diplomatëve është i pakufizuar por në realitet ata kanë shumë pak mundësi veprimi.

“Teoritikisht roli i ambasadorëve është shumë i madh por në rastin nuk jam aq optimist se mund të bëhet diçka spektakulare sepse shtetet e caktuara në qendrat vendosëse kanë informata për situatën në Republikën e Maqedonisë, e dinë se ku është pengesa na kanë treguar se çka duhet të bëjmë dhe ne nuk e bëjmë, pra diplomatët pak mund ta ndryshojnë këtë realitet”, shprehet Kadriu.

Gjersa një pjesë e mediumeve, kanë nxjerrë disa emra të përmendur.

Zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha thotë se ende është herët për të dalë me emrat e përzgjedhur sepse ata duhet kaluar filtrate në më shumë institucione, por njëherësh thekson se tërësisht janë zbatuar kriteret dhe në mesin e tyre ka emra të njohur për opinionin po edhe personalitete të cilat zgjidhen për herë të parë.

“Bëhet fjalë për persona të njohur me karrierë të madhe diplomatike, por në mesin e tyre ka dhe emra të rinj që sapo kanë filluar karrierën diplomatike. Nuk mund të jap emra konkret ngase procedurat për emërimin e ambasadorëve përfshijnë më shumë institucione", shprehet Hoxha.

Ai hodhi poshtë zërat se me ndryshimet e fundit të ligjit për punë të jashtme, dukshëm janë ashpërsuar kriteret dhe shqiptarët do e kenë më të vështirë, duke thënë se shqiptarët kanë kuadër të mjaftueshëm dhe do të respektohet parimi i 25 për qindëshit, konform Marrëveshjes së Ohrit.

“Ne jemi për atë që të plotësohen kriteret duke pasur parasysh se ka kuadër të mjaftueshëm që plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara dhe mund ta përfaqësojnë denjësisht Maqedoninë në shtetet e emëruara”, thekson Hoxha.
XS
SM
MD
LG