Ndërlidhjet

logo-print

Daçiq: Jam befasuar, por jo për të mirë


Beograd - Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq

Beograd - Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq

Kryeministri serb Ivica Daçiq tha sot se Serbia është befasuar jokëndshëm me mosmiratimin e djeshëm të projektligjit për amnisti në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se kjo mund të kërcënojë marrëveshjen e Brukselit.

Shefi i qeverisë serbe, sipas medieve beogradase, ka thënë se ligji për amnistinë është pjesë integrale dhe parakusht për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, dhe se prej tij varen pikat e tjera që kanë të bëjnë me policinë dhe drejtësinë.

Sipas Daçiq, për këtë temë do të bëhet fjalë të hënën në Bruksel, kur është caktuar takimi i radhës me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe shefen e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.

“Kjo flet se ende nuk kemi fituar betejën për vetëdije. Andaj është e rëndësishme që ky ligj të miratohet. Ne do të insistojmë në këtë gjë, sepse është parakusht thelbësor që të zbatohet marrëveshja e Brukselit”, citohet tu ketë thënë Daçiq gazetarëve në Pallatin Serbia, pas takimit me ministrin e mbrojtjes së Bosnjës e Hercegovinës Fahrudin Radonçiq.

Miratimi i ligjit për amnisti, sipas fjalëve të tij, është i nevojshëm sepse me të mundësohet pjesëmarrja e serbëve në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Daçiq ka komentuar edhe rreth paralajmërimeve të serbëve nga veriu i Kosovës se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit. Për këtë gjë, ai tha se marrëveshja Kosovë-Serbi, mund të jetë e suksesshme vetëm nëse serbët marrin pjesë në zbatimin e këtij pakti.

“Ne mund të zgjedhim. Ose do të marrim të ardhmen në duart tona, ose dikush tjetër do të na përcaktojë të ardhmen. Unë jam për atë që të ardhmen ta vendosim vet, sepse nuk besoj që dikush do të na sjell diçka, o nga qielli, o nga toka”, ka thënë Daçiq.
XS
SM
MD
LG