Ndërlidhjet

Mbështetësit e Morsit vazhdojnë protestat në Egjipt


Kajro, 5 korrik 2013.
Kajro, 5 korrik 2013.
Forcat e Egjiptit kanë hapur zjarr ndaj mbështetësve të presidentit të përmbysur, Mohammed Morsi. Raportet e disa mediave thonë se së paku tre persona kanë humbur jetën.

Protestuesit islamikë kanë bërë përpjekje të marshojnë drejt kazermës ushtarake në Kajro, ku besohet se është duke u mbajtur Morsi. Ata kërkojnë rikthimin e tij në pallatin presidencial.

Ushtria, e cila ka përmbysur Morsin të mërkurën, ka thënë se garanaton të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, por ka paralajmëruar kundër çdo aksioni që mund të rrezikojë sigurinë kombëtare.

Ushtria ka rrëzuar Morsin pasi miliona egjiptianë kanë protestuar kundër tij për katër ditë me radhë. Adly Mansour, kreu i Gjykatës Kushtetuese, është betuar të enjten në postin e presidentit të përkohshëm.

Një përkrahës i Morsit, me emrin Saleh Ali Al Najjar, ka thënë se në Kajro janë tubuar njerëz nga të gjitha anët e Egjiptit për të shprehur mbështetjen e tyre për Morsin.

“Kemi ardhur këtu duke besuar në Zotin. Do të them vetëm një fjali. Kemi ardhur nga të gjitha anët e Egjiptit për të vetmin qëllim, për të kthyer në pallat presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike”, ka thënë Najjar.

Një banor i Kajros u ka thënë mediave se Morsi është rrëzuar nga populli dhe jo nga ushtria.

“Sa i përket ish-presidentit Morsi, largimi i tij ka qenë kërkesë e revolucionit popullor më 30 qershor”, ka thënë ai.

Ndërkohë, raportohet se ushtria ka mbyllur pikën kufitare Rafah, me Rripin e Gazës, pas sulmeve ndaj forcave të sigurisë në veri të Sinait.

Nga këto sulme është vrarë një ushtar dhe janë plagosur dy të tjerë, por nuk është e qartë nëse ato kanë pasur të bëjnë me përmbysjen e Morsit.

Në një zhvillim që lidhet me këtë, Këshilli i Bashkimit Evropian për Paqe dhe Siguri ka pezulluar Egjiptin nga blloku 54-anëtarësh, duke cituar marrjen anti-kushtetuese të pushtetit.

Rreth 50 persona kanë humbur jetën prejse kanë nisur trazirat e fundit, ditën e diel.

Udhëheqësi i opozitës, Mohamed ElBaradei, ka thënë se ndërhyrja e ushtrisë ka qenë “e dhimbshme”, por ka qenë në emër të popullit dhe për të shamngur luftën civile.

“Zoti Morsi, fatkeqësisht, ka minuar legjitimitetin e tij”, ka thënë ElBaradei për BBC-në.

Ai po ashtu ka thënë se zgjedhjet do të mbahen brenda vitit, pasi ushtria nuk ka qëllim të mbajë pushtetin.

ElBaradei i ka bërë thirrje ushtrisë që të trajtojë Morsin me “dinjitet të plotë si një ish-president” dhe ka shfaqur shpresën se anëtarët e arrestuar të Vëllazërisë Myslimane, partisë së Morsit, do të lirohen.

Plani i ushtrisë për periudhën e pas-Morsit përfshin: pezullimin e kushtetutës, qeveri teknokrate të tranzicionit, përgatitjet e Gjykatës Supreme për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. (v.tela)
XS
SM
MD
LG