Ndërlidhjet

Zeka: Investitorët amerikanë dëshirojnë të investojnë në Kosovë


Arian Zeka
Arian Zeka
Në kuadër të ristrukturimit të kompleksit metalurgjik “Trepça” duhet të ndahet në dy ndërmarrje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ndërsa sa i përket përmirësimit të ambientit për të bërë biznes, Zeka konsideron se primare është sundimi i ligjit. Ai më tutje thotë se ka interesim të madh të bizneseve amerikane që të bashkëpunojnë më bizneset kosovare, konkretisht në prodhimin e produkteve ushqimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeka, gjatë një debati të organizuar nga Qeveria e Kosovës, është propozuar që kompleksi metalurgjik “Trepça” të mos privatizohet por të ristrukturohet. Si e konsideroni ju këtë proces, do të jetë në zhvillim të ekonomisë së vendit dhe njëherit do të mund të rrisë vlerën e kësaj ndërmarrjeje?

ARIAN ZEKA
Si Odë Ekonomike Amerikane e mbështesim së pari lëvizjen nga një pikë e vdekur në të cilën është ndodhur ndërmarrja Trepça për vite të tëra, pasi nuk ka pa pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Edhe pse në kuadër të Komitetit të Industrive të Rënda që kemi bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës, ne tashmë kemi filluar që të adresojmë edhe çështjen e ndërmarrjes “Trepça”.

Dhe natyrisht në kuadër të këtij nëngrupi punues për Trepçën ka dalë edhe ideja se nga ndërmarrja ekzistuese të krijohet ndërmarrja e re, obligimet dhe detyrimet e caktuara duke përfshirë këtu edhe pretendimet e kreditorëve, kemi sugjeruar që t’i mbesin ndërmarrjes Trepça e vjetër, ndërsa ndërmarrjes së re, t’i mundësohet që të vazhdojnë me planin e investimeve, natyrisht rritjes se kapaciteteve të prodhimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka kapacitete Kosova që të realizojë këtë ristrukturim?

ARIAN ZEKA
Unë besoj se më një plan të mirëfilltë të ristrukturimi i cili natyrisht nuk duhet të mbetet brenda kornizës se asaj që është prezantuar nga ana e zëvendëskryeministrit por duhet të elaborohet më tej. Dhe gjatë kësaj periudhe një mujore që është lënë në dispozicion për ofrimin e komenteve duhet të vijnë ide interesante.

Natyrisht këtu po e marr edhe pjesën e përgjegjësisë sonë. Si Odë Amerikane tashmë kemi nisur më organizatat e tjera të biznesit Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermane të mendojmë për organizimin e një tryeze të përbashkët ku do të elaboronim më tej ato ide që janë prezantuar në debatin e organizuar nga qeveria.

Po natyrisht të japim edhe rekomandime të tjera. Unë besoj se në kuadër të këtij plani strukturor duhet të jepen edhe ide, se si të tërhiqen edhe investimet ose mjetet financiare të cilat do të investoheshin për revitalizimin e Trepçës që është pjesa më e rëndësishme e këtij plani.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeka, Kosova vazhdon të ketë përpara sfida të shumta në rrafshin e përmirësimit ekonomik. Cila do të ishte primare sipas jush?

ARIAN ZEKA
Ajo që është më primare është nevoja për përmirësimin e menjëhershëm të sundimit të ligjit, sepse ne si OEAK besojmë se të gjitha problemet e tjera të cilat lidhen më korrupsionin, për të cilën ekziston një perceptim jashtëzakonisht i lartë, por gjithashtu edhe më problemet e shumta më aktivitetet e prokurimit publik, edhe të gjitha problemet më të cilat përballen ndërmarrjet e sektorit privat në Kosovë janë si rezultat i mos funksionimit të duhur të sundimit të ligjit, duke përfshirë këtu edhe mos efikasitetin në punën e gjykatave.

Pra, sundimi i ligjit do të ishte primare në momentin që do të ishim në gjendje që investitorëve potencial të huaj, por natyrisht duke mos i lënë anash edhe ndërmarrjet private kosovare të cilat janë bosht i zhvillimit ekonomik të këtij vendi, edhe për këto të krijohen kushte më të favorshme.

Kur flas për kushte më të favorshme, pas përmirësimit të sundimit të ligjit, natyrisht e kam fjalën për ofrimin e stimujve të caktuar për ata që kanë plane të mirëfillta dhe plane të cilat do të ndihmonin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të këtij vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej objektivave të cilën institucionet e Kosovës po përpiqen të përmbushin është joshja e investimeve të huaja. Mungesa e një stabiliteti ekonomik shpesh përmendet si një nga shkaktarët që pengon këtë proces. Çka duhet bërë për të ndryshuar këtë imazh?

ARIAN ZEKA
Përveç mungesës së stabilitetit, unë do të potencoj se ekziston një mungesë e informacioneve bazike në mesin e investitorëve potencial nga vendet që do të kishin interesim për të investuar në Kosovë.

Pra, mungojnë informacione të përgjithshme lidhur më atë se çfarë është Kosova, dhe çfarë ajo realisht i ofron investitorëve të huaj. Shohim fushata shumë agresive mediale të cilat organizohen dhe paguhen nga ana e shteteve fqinjë, e kam fjalën këtu për Maqedoninë, e cila ka një fushatë jashtëzakonisht tërheqëse për investitorët e huaj, por natyrisht edhe tërheqjen e turistëve potenciale në vendin e tyre.

Besoj se në shumicën e këtyre stimujve për këta investitorë edhe Kosova i ofron duke mos e lënë anash këtu edhe përmirësimin e ndjeshëm në raportin e Bankës Botërore të “ Të Bërit Biznes”.

Por, ajo që kemi parë është se prej vitit të kaluar e deri më sot nuk është marrë iniciativa për organizimin e një fushatë të tillë të promovimit të resurseve ekonomike ose potencialeve për investim në Kosovë. Më e rëndësishme është të vazhdojmë të ndërtojmë brendin për shtetin tonë se ekzistojmë si shtet dhe natyrisht se si të tillë i mirëpresim investimet e huaja.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cili është roli i Odës Ekonomike Amerikane në këtë kuadër?

ARIAN ZEKA
Në këtë kuadër roli më i rëndësishëm i Odës Ekonomike Amerikane është ruajtja dhe rritja e mëtejme e marrëdhënieve tregtare në rend të parë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe përpjekjet për joshjen e më tepër investimeve të huaja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, investitorët amerikan qoftë direkt nga SHBA-të apo edhe atyre që janë të pranishëm nëpër vende e tjetra të Evropës.

Në këtë kuadër së fundmi kemi pasur edhe një vizitë në SHBA, në përpjekje për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit, asaj që po e quajmë partneritet ekonomik, më shtetin federal amerikan të Iowa-s. Tashmë ekziston një marrëveshje e bashkëpunimit strategjik më shtetin këtë shtet në fushën ushtarake dhe politike.

Por, ajo që kemi dashur është që të thellojmë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Ajo që në gëzon edhe më shumë se është se më pak se një javë nga vizita jone, kemi një vizitë, delegacion i disa bizneseve të shtetit të Iowas, të cilët menjëherë kanë ardhur që të interesohen për fushat në cilat ata mund të bashkëpunojmë më bizneset kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç këtij delegacioni që po qëndron në Kosovë, cili është intersimi i investitorëve amerikan që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, dhe në cilët sektorë janë më tërheqës për ta?

ARIAN ZEKA
Interesimi kryesor, po i referohemi bizneseve amerikane është që të gjejnë bashkëpunim më firmat kosovare në fushën e përpunimit dhe prodhimit të produkteve ushqimore. Pasi natyrisht Kosova mund të shërbente si një vend shumë i mirë për bizneser amerikane që këtu t’i prodhonin produktet e tyre, dhe si të tilla mandej ti eksportonin në Bashkimin Evropian, pasi Kosova gëzon një status të tregtisë preferenciale më BE-në.

Në të njëjtën kohë mund të përmendin se ka interesim jashtëzakonisht të madh edhe për zhvillimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike. Por, edhe sektori mineral mbetet mjaft tërheqës sidomos për bizneset amerikane që tashme janë përmendur më emra të përveçëm që kanë shprehur interesimin e tyre, që të vijnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim pak për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Mendoni se ka qenë proces i suksesshëm apo i dështuar?

ARIAN ZEKA
Nëse themi proces tërësisht i suksesshëm, me siguri se do të ishte iluzion i rrejshëm, që do të jepnim para kësaj shoqërie, por në të njëjtën kohë nuk mund të flasim për një dështim të plotë të këtij procesi, për shkak se mund të përmendin disa kompani, që pas procesit të privatizimit, kanë arritur që të rivitalizohen edhe natyrisht të vazhdojnë më procesin e punës për të cilën janë njohur në të kaluarën dhe janë eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës.

Në përgjithësi procesi i privatizimit nuk ka shkuar si duhet dhe është përgjegjësi e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, natyrisht edhe institucioneve tjera që merren cështjen e menaxhimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe natyrisht të ndërmarrjeve publike, që të ulën të përpilojnë një strategji të mirëfilltë se si do të shkojnë përpara më tutje, se ajo që ka ndodh në të kaluarën nuk do të vazhdoi edhe më tej

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se të gjitha këto procese, qoftë privatizimin apo joshjen e investimeve të huaja, po e pengojnë fenomenet për të cilat tashmë dihet, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar?

ARIAN ZEKA
Njëri nga problemet kryesore që përballen investitorët të cilët vendosin që të marrin pjesë në procesin e privatizimit është problemi i transferimit të pronës, në momentin që të kenë blerë pronën e këtyre ndërmarrjeve shoqërore.

Kemi shembuj të kompanive të ndryshme, që përmes procesit të privatizimit kanë transferuar pronën shoqërore në pronën e tyre private, mirëpo për më tepër për më shumë se dy vite nuk kanë qasje në ato prona., për shkak të problemeve dhe kontesteve të ndryshme pronësore të cilat ekzistojnë.

Është ndoshta paradoksale të përmendet që Agjencia Kosovare e Privatizimit, në momentin kur bënë nënshkrimin e kontratës për shit-blerjen e ndonjë ndërmarrje ose pronës shoqërore më nuk qanë kokën lidhur më transferimin ose ofrimin e mundësive të investitorëve të rinj, që të kenë qasje në pronat e tyre të sapo blera.

Kjo është një çështje tjetër që duhet të analizohet edhe më tej dhe të përfshihet në strategjinë e punës se AKP-se për periudhën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG