Ndërlidhjet

logo-print

Rasti Snowden: Venezuela dhe Nikaragua ofrojnë azil

  • RFE /RL

Edward Snowden

Edward Snowden

Presidentët e Venezuelës dhe Nikaraguas thonë se ata janë të gatshëm për t’i dhënë azil ish-kontraktorit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, Edward Snowden, i cili ka dhënë informacione për programet sekrete amerikane.

Edward Snowden, pasaporti i të cilit është revokuar nga Shtetet e Bashkuara, besohet se dy javët e fundit i ka kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar Sheremetyevo në Moskë.

Nuk është e qartë se si Edward Snowden do të udhëtonte për në Amerikën Latine, për ta shrytëzuar ofertën nga Venezuela dhe Nikaragua.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara e kanë akuzuar Snowdenin për spiunim për dhënien e detajeve sekrete të programeve të Shteteve të Bashkuara të vëzhgimit global të të dhënave telefonike dhe Internetit.

Uashingtoni ka kërkuar që ai tu dorëzohet autoriteteve amerikane për ndjekje penale.

Pas ofertave nga Venezuale dhe Nikaragua, nuk ka pasur komente të menjëhershme nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Madura, tha se është i gatshëm t’i garantoj azil “humanitar”, në mënyrë që Snowden do ta evitonte ndjekjen në Shtetet e Bashkuara.

“E shpalli te qeveritë e vendeve mike në botë se ne kemi vendosur të ofrojmë të drejtë ndërkombëtare humanitare për azil, për ta mbrojtur të riun Snowden nga ndjekja, që është lansuar nga forca më e fuqishme imperialiste në botë, kundër një njeriu të ri, i cili e ka thënë vetëm të vërtetën”, tha Nicolas Maduro.

Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, tha se do të ishte i gatshëm për dhënien e azilit për Snowdenin, nëse “lejojnë rrethanat”.

Sipas presidentit Ortega, Nikaragua e ka marrë kërkesën për azil për Snowdenin, në Ambasadën e saj në Moskë.

Ortega deklaroi:

“Snowden ka dërguar letra me të cilat kërkon azil, ne e kemi marrë letrën të dërguar nga Snowdeni dhe ajo letër është marrë në Ambasadën e Nikaraguas në Moskë. Snowden ka kërkuar azil këtu në Nikaragua. Të gjithë e dini pozicionin e e Nikaraguas lidhur me këtë çështje. Ne jemi vend i hapur, i respektojmë të drejtat për azil. Është e qaertë se nëse rrethanat lejojnë, ne me kënaqësi do ta pranojmë Snowdenin, i cili dëshiron azil këtu në Nikaragua”, tha presidenti Daniel Ortega.

Organizata në Internet, WikiLeaks, tha se Snowden ka kërkuar azil në gjashtë vende.

WikiLeaks ka refuzuar t’i identifikoj këto shtete, duke thënë se ishte i brengosur për “ndërhyrjen” e Shteteve të Bashkuara, që mund ta dëmtojnë çfarëdo oferte për azil.

Snowden kishte kërkuar azil në së paku 20 vende, por ishte refuzuar nga disa vende evropiane dhe në Indi e Brazil.

Oferta nga Venezuela dhe Nikaragua u bënë në periudhën kur vendet e Amerikës Latine janë të tmerruara, pasi aeroplani i presidentit të Bolivisë, Evo Morales, nuk ishte lejuar t’i shfrytëzoj hapësirat ajrore të disa vendeve evropiane, për shkak të raporteve se në këtë aeroplan mund të udhëtonte edhe Snowden.

Për këtë arsye, Bolivia e ka akuzuar Francën, Portugalinë, Italinë dhe Spanjën, se i janë nënshtruar presionit të Shteteve të Bashkuara. Përfundimisht, aeroplani kishte ateruar në Austri, para se të vazhdonte fluturimin për në Bolivi.

Edward Snowden, ish-kontraktor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, së pari pat fluturuar në Hong-Kong, e pastaj arriti në Moskë.

Dokumentet që i ka zbuluar ai tregojnë se Agjencia Kombëtare e Sigurisë kishte qasje në një sasi të madhe të të dhënave telefonike dhe në Internet, në përmasa globale, dhe se ka kryer operacione spiunimi kundër Bashkimit Evropian dhe caqeve të tjera. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG