Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Facebook-u, ky rrjet aq shumë i dashur


Foto ilustruese

Foto ilustruese



Përdorimi i internetit, sidomos i rrjeteve sociale si Facebook, është bërë domosdo e një dite rutinë për të rinjtë kosovarë.

Për rubrikën tonë të përjavshme VOX, disa nga ta thonë se në të shumtën e rasteve klikojnë Facebook-un për qëllime profesionale, komunikim, por edhe për të marrë informacione rreth shokëve të tyre.

Komunikimi në “chat”, sipas tyre, u ka mundësuar të krijojnë shoqëri në nivel global.

Blerina Mati punon në një kompani të sigurimeve. Ajo tregon se Facebook-un në telefon e mban të hupur 24 orë.

“Non-stop e kam në telefon, kështu që 24 orë jam 'online'. E përdor për njohuri të reja, për punë. Postoj edhe fotografi, por jo secilin detaj, siç po postojnë tash”, thotë Blerina.

Majlinda është studente në Fakultetin Ekonomik. Majlindës, përveç komunikimit, përshtypje në këtë rrjet social i bëjnë fotografitë e postuara.

“Facebook-un e përdor për të komunikuar me të afërmit e mi, me shokë dhe shoqe, por edhe për ndonjë lajm, risi... Është i mirë sepse mund të njohësh ndonjë person edhe në bazë të fotografive”, shprehet Majlinda.

Facebook-u është një prej rrjeteve kryesore që më së shumti përdoret nga të rinjtë, thotë i riu tjetër Esat Ukaj, që ka mbi 200 shokë në këtë faqe.

“E përdor më tepër për qëllime të komunikimit me shokë. Në listë kam shokë, kolegë ose familjarë”, thotë ai.

Anita, në anën tjetër, thotë se më anë të Facebook-ut ka krijuar shoqëri të re, edhe pse asnjëherë nuk është takuar me të.

“E përdor Facebook-un që të njoftohem me shoqëri, të komunikoj me të afërmit, shoqet dhe shokët e mi. Kam shoqe në Gjermani, Zvicër, edhe pse nuk jam takuar me to asnjëherë, vazhdimisht mbaj kontakte. Do të thotë, Facebook-u na ka bashkuar”, thotë Anita.

Kolë Nreaj thotë se nëpërmjet këtyre rrjeteve sociale, takohen të rinjtë e gjithë botës.

“Kam shokë edhe në Amerikë, Zvicër dhe vende tjera të botës. Ka fotografi të bukura shumë. Ka ndodhur kur më ka pëlqyer ndonjë fotografi, kam filluar bisedat me personin rreth shtetit, studimeve dhe biseda tjera që vazhdojnë edhe sot”, rrëfen Kola.

Tarina është studente në Universitetin Amerikan në Prishtinë. Ajo thotë se nuk i kalon asnjë ditë pa kontrolluar adresën e saj në Facebook.

“Çdo ditë komunikoj me njerëz. Shikoj fotografitë se ku gjenden shokët apo shoqet e mia”, thotë ajo.

Në Facebook dhe faqe të tjera të ngjashme, jo vetëm që mund të komunikosh, por edhe të shkëmbesh muzikë, filma, video, fotografi etj.

Për këtë, Labinota Berisha thotë se do të mund të krijonte edhe lidhje të gjatë me anë të këtyre faqeve.

“Ndoshta edhe do të lidhem me dikë, pasi shumë lidhje (martesa) kanë lindur nga Facebook-u”, shprehet Labinota.

Përveç informatave të nevojshme për fakultet, Samiu, student në Fakultetin Juridik, shikon edhe për jetën personale të shokëve të tij.

Jam njoftuar me shumë shokë. Edhe në diasporë kam vënë kontakte. Aq sa e di gjuhën, komunikoj edhe me shokë të shteteve tjera. Rrjetet sociale edhe ta kursejnë kohën, pasi, në një mënyrë, informohesh për shokët se çfarë ka ndodhur me ta, a janë fejuar, martuar, apo ndarë...”, thotë Samiu.

Format e të folurit, të cilat përdoren në rrjetet sociale, madje janë bërë si zhargon trendi edhe në komunikimin e përditshëm, jashtë këtyre rrjeteve. Fidani, në gjuhën me të cilën komunikon në rrjetet sociale, thotë se ka 800 “friends” të lidhur në faqen e Facebook-ut.

“Me të gjithë shokët që i bëj ‘friends’ zakonisht flas. Krijoj shoqëri të re edhe me njerëz nga shtetet tjera. Fotografive nuk u besoj shumë, sepse ekzistojnë programe që i rregullojnë. Kështu që pa i parë edhe ‘live’, nuk janë të gjitha të sakta. Është edhe ‘video call’, ku mund të shikohemi, por prapë pa u parë ‘live’ nuk është diçka serioze“, thotë Fidani.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG