Ndërlidhjet

logo-print

New York Times: Një aks i ri anti-amerikan?


Fluturimi i ish-kontraktorit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden, që për media ka zbuluar informacione sekrete të inteligjencës amerikane, nga Hong-Kongu në Moskë, muajin e kaluar, nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e Rusisë dhe Kinës.

Sjellja e të dy vendeve në çështjen Snowden demonstron këmbëngulësinë dhe gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë aksion në kurriz të Amerikës, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times.

Përtej mbrojtjes së tyre për zotin Snowden, politikat kinezo-ruse për Sirinë e kanë paralizuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dy vjet, duke parandaluar aksionin e përbashkët ndërkombëtar.

Pirateria kineze e kompanive amerikane dhe sulmet kibernetike ruse kundër fqinjëve të vet, poashtu, kanë shkaktuar shqetësim në Uashington, shkruan gazeta, dhe shton se derisa Moska dhe Pekini në përgjithësi i kanë mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për ndaljen e programit atomik të Iranit, ato qartas nuk ishin të përgatitura të shkojnë aq larg sa ishte i përgatitur Uashingtoni, dhe çfarëdo ndërrimi i koordinuar në qasjen e tyre mundet menjëherë ta dëmtoj politikën amerikane për këtë çështje dhe t’i rrezikoj interesat e saj të sigurisë dhe energjisë.

Për ta ndërprerë potencialin e ri për bashkëpunim, Kina tash po i zhvillon ushtrimet të veta më të mëdha detare deri tash – me Rusinë, shkruan New York Times.

Duket se Rusia dhe Kina kanë vendosur që, për t’i avancuar më tepër interesat e tyre, ato duhet ta godasin Uashingtonin, për të treguar se ai është arrogant, shkruan gazeta dhe konstaton se me gjasë, asnjëri nuk dëshiron ta filloj një luftë të re të ftohtë, e të mos flasim për një konflikt të nxehtë, dhe këtë e tregojnë aksionet e tyre në rastin Snowden.

Kina lejoi që ai të hyjë në Hong-Kong, por me zemërgjerësi e ka nxitur largimin e tij, derisa Rusia, pas një retorike provokuese, duket se tash e ka zbutur tonin e saj.

Të dy shtetet, ende, po synojnë ndikim më të madh diplomatik, të cilin ata konsiderojnë se mund ta realizojnë vetëm duke i kufizuar Shtetet e Bashkuara. Në punët botërore, nuk ekziston mënyrë më e mirë për t’i treguar muskujt e vet, se sa duke e dobësuar dukshëm forcën më të madhe.

Sjellja e Rusisë dhe e Kinës sugjeron se ata shohin më pak shpenzime duke i sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe më pak shpërblime për të vepruar si partnerë, shkruan New York Times dhe thekson se këto kalkulime burojnë nga dy perceptime të rrezikshme.

Së pari, ata e shohin rënien dhe dekadentizmin amerikan. Në pikëpamjen e tyre, Shtetet e Bashkuara janë në anën e gabuar të historisë, duke i mbajtur lidhjet me Evropën dhe pjesët e Azisë, ndërsa e humbin levën ekonomike dhe autoritetin moral në pjesën tjetër të botës. Deangazhimi amerikan nga Iraku dhe Afganistani pa fitore, kontribuon për një përshtypje të ndërlidhur se superioriteti i padiskutueshëm ushtarak i Amerikës, nuk është shumë i vlefshëm në kuptimin e arritjes së objektivave politikë në terren.

Perceptimi i dytë i rrezikshëm është se shumë elita ruse dhe kineze konsiderojnë se objektivat e politikës së jashtme amerikane fundamentalisht janë armiqësore për interesat e tyre vitale.Asnjëri grup nuk e sheh promovimin demokratik amerikan si reflektim i çfarëdo përkushtimi të sinqert për liri; por, përkundrazi, të dyjat e perceptojnë atë si luftë selektive për shkatërrimin e qeverive, që janë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, ose që janë shumë të fuqishme për komoditetin e vet.

Prandaj, politkbërësit në Uashington, duhet me kujdes ta vlerësojnë afrimin në rritje ndërmjet Kinës dhe Rusisë, dhe çka do të thotë kjo për Amerikën, shkruan New York Times, dhe konkludon se për ta injoruar këtë do të ishte pamençuri.

New York Times shkruan se presidenti Obama nuk duhet ta shohë Kinën dhe Rusinë as si armiq e as si miq, por si forca të rëndësishme me interesa të tyre, siç ka treguar rasti Snowden. Zoti Obama publikisht dhe pa rezultat u është drejtuar të dy vendeve, duke kërkuar ekstradimin e zotit Snowden.

Vetëm kur ai e zbuti qëndrimin e tij publik dhe e forcoi linjën e tij private, atëherë Pekini dhe Moska filluan t’i shohin avantazhet e shmangies së konfrontimit të mëtejshëm.

Për ta fituar respektin e Rusisë dhe Kinës, Shtëpia e Bardhë duhet së pari të demonstroj se udhëheqja amerikane është esenciale për zgjidhjen e problemeve kryesore në botë, përfshirë edhe ato që janë vitale për Kinën dhe Rusinë. Amerika nuk mund të shihet si pasive.

Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën meritojnë të kenë prioritet, por Shtetet e Bashkuara nuk duhet të frikësohen që të qëndrojnë fuqishëm në disa raste ose në të tjera, për partneritet me këto dy fuqi autoritare por përfundimisht pragmatike.

Po të veprohet ndryshme do të ishte marrëzi në përmasa historike, shkruan në fund të artikullit të gjatë e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG