Ndërlidhjet

logo-print
Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare si KFOR-i, EULEX-i, dhe Policia e Kosovës, duhet të bëjnë më shumë për sigurinë e qytetarëve që jetojnë në afërsi të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu thonë drejtuesit e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i komisionit Ahmet Isufi, tha se derisa janë duke vazhduar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bisedohet dhe të ketë drejtime në mënyrë që të ketë një siguri më të madhe në ato zona ku jetojnë qytetarët.

“Konsiderojmë se është një situatë jo e mjaftueshme e garantuar në kufijtë për shkak edhe të incidenteve që po ndodhin shpeshherë. Madje edhe hyrjet të xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës duke mos llogaritur veriun në të cilin janë të instaluar institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Isufi.

Nga ana tjetër, autoritetet e rendit konsiderojnë se në vendkalimet kufitare ku Policia e Kosovës është përgjegjëse, ka siguri të plotë.

“Konsiderojmë se ka siguri. Sa i takon brezit kufitar që lidh Kosovën më Serbinë edhe aty konsiderohet të ketë siguri me përjashtim të disa rasteve apo incidenteve që kanë ndodhur në këtë pjesë. Mirëpo, duhet ditur se ne brezin kufitar, në vijën e gjelbër në mes të Kosovës dhe Serbisë është përgjegjës KFOR-i, ndërsa në aspektin e kuptimit të kontrabandës të gjitha pjesët duke përfshirë edhe pjesën me Serbinë, është përgjegjëse Policia e Kosovës, përkatësisht Policia Kufitare”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ndryshe, pesë persona, kosovarë, janë plagosur mbrëmë në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç bëhet e ditur, atje ka pasur shkëmbim zjarri me përfaqësuesit e xhandarmërisë serbe dhe shqiptarëve, të cilët thuhet se kanë qenë duke prerë drunj ilegalisht.

Kelani thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me këtë rast, përderisa janë duke u kryer hetime lidhur me personat e involvuar në këtë shkëmbim zjarri dhe zona se ku saktësisht ka ndodhur incidenti.

Janë elemente që duhet të saktësohen rreth vendndodhjes së incidentit dhe për këtë, Polica e Kosovës me të gjitha njësitet e saj, duke përfshirë ato të Policisë Kufitare, të Rendit Publik, të departamentit të hetimeve në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare, në këtë rast EULEX-in dhe KFOR-in, janë duke bërë përpjekje për hetuar rastin në tërësi dhe për të saktësuar vendndodhjen”, tha ai.

Pesë persona të cilët janë plagosu në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i qendrës Emergjente Basari Lenjani tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën.

“Të gjithë të lënduarit nuk kanë treguar shenja të rrezikshmërisë për jetën. Pas ndërhyrjeve kirurgjike, analizave laboratorike, radiologjike dhe konsulencës, dy nga personat janë vendosur për trajtim të mëtutjeshme në Kliniken e Ortopedisë, ndërsa njëri prej tyre është vendosur në Kliniken e Kirurgjisë Torakale për shkak të lëndimeve që kanë ngjan ë regjionin e toraksit. Ndërsa dy të lënduar të tjerë janë duke qëndruar në kliniken tonë”, tha Lenjani.

Ndryshe, banorët e fshati kufitar Karaqevë dhe Muçibabë, por edhe lokalitete të tjera të rajonin të Gjilanit, herë pas herë kanë raportuar për problemet me xhandarmërinë serbe, të cilët siç thonë banorët, janë futur në territorin e Kosovës.

Ahmet Isufi nga AAK-ja, anëtar i Komisonit për Legjislacion thotë se lëvizjet e xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të Kosovës janë shndërruar në problem për banorët e asaj ane.

Ju e dini situatën edhe në Karaqevë shqetësimin e qytetarëve, po ashtu edhe në pjesë të Gjilanit në Muçibabë edhe fshatrat e tjera të cilat gravitojnë në kufij dhe ka në vazhdimësi reagime të cilat tregojnë se nuk ka siguri të mjaftueshme, prandaj është obligim i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin masa meqë po bëhen edhe bisedimet që të ketë një siguri më të lartë”, deklaroi Isufi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG