Ndërlidhjet

logo-print
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e marrëveshjes për normalizimin marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka pasur efekt të drejtpërdrejtë në perceptimin e Republikës së Kosovës nga vende të ndryshme të botës, si dhe i gjithë ky proces të ndikojë në marrjen e 5 njohjeve të reja vetëm gjatë muajit të qershorit, vlerësojnë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se diplomacia kosovarë ka bërë punë sistematike në shumë pjesë të botës, për t’i prezantuar rezultatet e dialogut dhe e gjithë kjo është rikthyer me rezultate konkrete, siç është njohja e Republikës së Kosovës nga këto shtete.

“Këto shtete kanë qenë në procedurë, në dy vitet e fundit, që ta njohin republikën e Kosovës. Kështu që, rrethanat e brendshme të konsolidimit të shtetit të Kosovës, dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizim të këtyre relacioneve, procesi i pandalshëm i njohjes së Kosovës nga vendet e ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, kanë bërë që këto 5 vende, gjatë qershorit, përfundimisht ta shpallin vendimin e tyre për njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”, është shprehur Hoxhaj.

Dy njohjet e fundit për Kosovën kanë ardhur nga Egjipti dhe El Salvador, të cilat sipas Ministrisë së Jashtme e kanë ngritur numrin e njohjeve në 101.

Ministri Hoxhaj, pa e nënvlerësuar asnjë njohje të deritashme, vlerëson se megjithatë njohja e Kosovës nga Egjipti, mjaft rëndësi.

Sipas tij, kjo për faktin se Egjipti ka peshë të veçantë në kuadër të shteteve të Ligës arabe, të shteteve të Organizatës për bashkëpunim Islamik, si dhe në kontinentin e Afrikës dhe siç tha ai, do të jetë ndikim të drejtë për drejtë te shtete tjera myslimane dhe te ato Afrikane, të cilat deri më tash nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se dinamika me të cilën po arrijnë njohjet për Kosovën, nuk është e kënaqshme.

Unë jam i pakënaqur me dinamikën e njohjeve. Por, lajm shumë i mirë ka qenë, në këtë rast, njohja nga Egjipti dhe nëse kjo është formalizuar, është vërtetë njohje e rëndësishme. Ndryshe, në përgjithësi, me dinamikën dhe numrin e njohjeve jam i pakënaqur – me numrin, të cilin, realisht, ende nuk e dimë saktësisht se cili është ai numër i njohjeve që i ka marrë Kosova”, tha Hyseni.

Hyseni ka shprehur mendimin, se me numrin e deritashëm të njohjeve dhe me dinamikën e këtyre njohjeve, janë të pakënaqur edhe vet institucionet e larta të qeverisë së Kosovës.

“Besoj që edhe qeveria është e pakënaqur, sepse ende nuk kemi arritur numër të mjaftueshëm të njohjeve, numër i cili na garanton se politikat tona në organizatën e Kombeve të Bashkuara mund të depërtohen, mund të shtyhen. Sepse, synim gjithnjë dhe peshë parësore, njohjet kanë në rrafshin e anëtarësimit të Kosovës në OKB".

"Kosova mund të bllokohet gjithnjë nga Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse, me të drejtën e vetos në Këshill të Sigurimit, por, sido që të jetë, numri i njohjeve ka peshë. Sa më i madh numri, aq më i madh presioni mbi këto dy vende që të mos e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë ai.

Por, ministri i Jashtëm, Hoxhaj, shpreh besimin se së shpejti Kosovës do t’i vijnë edhe njohjet tjera.

Ai ka theksuar se tashmë posedon informata se aktualisht janë edhe tri vende të tjera të cilat do të duhej ta bëjnë publik vendimin e tyre për njohjen e republikës së Kosovës.

“Është fjala për vendet e Amerikës së mesme dhe të Amerikës latine, vende të botës arabe, myslimane, si dhe vende të Azisë dhe Paqësorit. Jam më se i sigurt se gjatë javëve të ardhme do të ketë njohje të tjera. Sikurse kam paralajmëruar në fillim të këtij viti, që deri në qershor do të ketë pesë vende që do ta njohin Kosovën, tash mund të them se ka edhe tri vende të tjera, të cilat do ta bëjnë një gjë të tillë”, theksoi Hoxhaj.

Ndryshe, përderisa ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ka theksuar se angazhimi për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën është maksimal nga ana e ministrisë që ai drejton, por edhe përgjithësisht Qeverisë së Kosovës, deputeti opozitar, Hyseni ka vlerësuar se ka munguar angazhimi i duhur në këtë drejtim nga këto institucione.

Rezultat i kësaj, vlerësoi ai, është edhe numri, sipas tij, jo i kënaqshëm i njohjeve për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG