Ndërlidhjet

Prishtinë: Guvernatori i Ajovës vizitoi OEA


Nga takimi i djeshëm i presidentes Atifete Jahjaga me guvernatorin Terry Branstad

Nga takimi i djeshëm i presidentes Atifete Jahjaga me guvernatorin Terry Branstad

Terry Brandstad, guvernatori i shtetit Ajovës në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të vizitës që po i bën Prishtinës, ka takuar anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane (OEA) në Kosovë.

Lidhjet ekonomike në mes Kosovës dhe Ajovës do të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen e afërt me marrëveshjet e para biznesore, që priten të nënshkruhen në mes të kompanive kosovare dhe atyre amerikane nga Ajova, thuhet në komunikatën e lëshuar nga OEA.

Në fjalën e tij hyrëse, presidenti i Bordit të Drejtorëve të OEA në Kosovë , Erolld Belegu, ka falënderuar guvernatorin Barnstad dhe delegacionin nga Ajova për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Kosovën në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike. Në emër të Odës Ekonomike Amerikane ai ka shprehur gatishmërinë e tij të ndihmojë lidhjet e mëtutjeshme në mes bizneseve kosovare dhe aryre në Ajova.

Kurse, guvernatori i Ajovës, Terry Branstad, theksoi se Kosova ka potencial të lartë për zhvillim dhe ai i siguroi të gjithë të pranishmit që bashkëpunimi në mes dy shteteve të binjakëzuara do të tregoj rezultate pozitive dhe të dyja vendet do të kenë përfitime nga kjo marrëdhënie. Ai gjithashtu shtoi se marrëveshjet e binjakëzimit janë një hap më tutje drejt rritjes së aktiviteteve ekonomike dhe tregtare në mes këtyre dy vendeve. Guvernatori Branstad tha se falë ligjeve të favorshme për bizneset, Ajova tashmë nuk është më e njohur vetëm për bujqësi, por edhe për fusha të tjera, duke përfshirë financat dhe teknologjinë informative.

Ndërkaq, Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, inkurajoi Odën Ekomnomike Amerikane të vazhdojë angazhimin e saj drejt përmirësimit të ambientit afarist në Kosovë.

Për më shumë, Jacobson ka shprehur besimin e saj se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Ajovës do të rezultojë i frytshëm, falë praktikalitetit të popullit amerikan si dhe gatishmërisë dhe përkushtimit të kosovarëve, duke shtuar se është kënaqësi që të shoh një bashkëpunim të këtillë ndërmjet përfaqësuesve të të dyja vendeve.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, përfaqësuesit e bizneseve nga Ajova e Shteteve të Bashkuara patën një varg takimesh me bizneset kosovare të sektorëve të bujqësisë, transportit dhe distribuimit, ku pritet që të arrihen marrëveshjet e para biznesore me kompanitë Kosovare nga Industria e prodhimit të mishit.

Të pranishëm në takim ishin edhe Ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr, Atasheu ushtarak i Kosovës në SHBA, Xhavit Gashi.
XS
SM
MD
LG