Ndërlidhjet

Projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, nuk mbron apo favorizon pensionistët, por diskriminon këtë kategori, shprehen përfaqësues të pensionistëve në Kosovë.

Sahit Dragaj, nga Partia e Pensionistëve të Kosovës, thotë se në këtë projektligj rekomandimet e pensionistëve nuk janë marrë parasysh.

Ai thotë se pensionistët kanë kërkuar që të behët kategorizimi i pensionistëve dhe pensionet të jenë 60 për qind të pagës mesatare në Kosovë, që në bazë të kësaj kërkesë, sipas tyre, pensionet duhet të fillojnë nga 120 deri në 250 euro në muaj.

“Ne qe kemi bërë amandamentimin siç po duket, kërkesat tona nuk janë marrë parasysh, edhe nëse shkon ashtu si në versionin e parë, atëherë pensionistët kurrsesi nuk mund të pajtohen sepse është diskriminues. Ka disa lëshime që ne nuk mund të pajtohemi. Është paraparë që Qeveria apo Ministria e Financave mund të zvogëlo jë pensionet nëse ka vështirësi buxhetore, kjo mund të jetë një absurd i llojit të vetë”, shprehet Dragaj.

Sipas Dragajt, në Kosovë llogariten mbi 113 mijë pensionistë të moshës që marrin nga 60 euro në muaj, ndërkaq mbi 35 mijë pensionistë llogariten të jenë kontribut pagues e që marrin nga 112 euro në muaj.

Në anën tjetër, Minire Begaj, udhëheqëse e divizionit për mbikëqyrje dhe zbatim të legjislacionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se në projektligj janë marrë për bazë edhe rekomandimet e përfaqësueseve të pensionistëve.

"Si sponzorues të këtij ligji, në grupe punues pjesëmarrës kanë qene edhe pensionistët, të cilët kanë dhënë komente por edhe konsultime. Dhe besoj se të gjitha ato që kanë qenë të mundshme të paraqiten janë përfshirë në këtë version. Komentet e dhëna nga ky grup të interesit janë futur në këtë version”, shprehet Begaj.

Megjithatë, Begaj, tregon se çfarë në fakt përmban projektligji..

Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në parlament, tash është në procedurë parlamentare dhe ende nuk është miratuar. Ky projektligj përfshin skemat e pensioneve bazike të moshës, skemat e pensioneve kontribut pagues të moshës, skemën e pensionit të aftësisë së kufizuar dhe skemën e pensioneve të parakohshme".

"Ai rregullon edhe çështjet e pensioneve të familjare dhe invalidore të punës, në rastet kur kontribut paguesi lëndohet në punë, apo fitojnë sëmundje profesionale"
, thekson Begaj.

Sidoqoftë, Instituti Demokratik i Kosovës, pas analizave që i ka bërë përmbajtjes së tërësishme të këtij projektligji ka konkluduar se përmbajtja aktuale nuk ofron mundësi reale për zbatueshmërinë e rekomandimeve që dalin nga Raporti i Zhvillimit Njerëzor në Kosovë.

Njëherësh, ky projektligj nuk ndikon pozitivisht në krijimin e kushteve për zbatimin e plotë të Objektivave Zhvillimore të Mileniumit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG