Ndërlidhjet

logo-print

Amnistia, pastaj zbatimi i plotë i marrëveshjes


Integrimi i komunitetit serb nga komunat veriore në kuadër të institucioneve të Kosovës do të jetë sfida kryesore e zbatimit të marrëveshjes së arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve dhe analistët.

Ky integrim, besohet se duhet të kalojë përmes procesit të zgjedhjeve të lira.

Por, paraprakisht, shihet si i domosdoshëm edhe miratimi i Ligjit të Amnistisë për strukturat, deri tani ilegale në veri, të cilat më pas, sipas marrëveshjes do të integroheshin në kuadër të organeve të Kosovës.

Këshilltari politik i presidentes së Kosovës, Ramush Tahiri mendon se Ligji i Amnistisë është një e arritur e dialogut me të cilin do të mundësohet shpërbërja e strukturave paralele në komunat veriore.

Konsideroj që kjo është arritja më e madhe e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që këto struktura të shpërbëhen pa asnjë kusht për veprimet e tyre të cilat nuk kanë të bëjnë kundër jetës së njeriut. Është amnisti e përgjithshme, sepse konsiderohen si veprime politike dhe pa pasoja për qytetarët dhe të ardhmen e përbashkët të vendit”, ka thënë Tahiri.

Me Ligjin për Amnistinë, në formën e propozuar, nuk pajtohet një numër i deputetëve dhe një pjesë e shoqërisë civile.

Versionin e parë të këtij Ligji e pati refuzuar edhe Kuvendi i Kosovës, ngaqë ishte vlerësuar se me nenin 3 amnistoheshin shumë vepra kriminale ordinere.

Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve në këtë ligj duke e fshi nenin 3, analisti Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike mendon se nuk është hartuar një draft i mirë i cili do të meritonte të mbështetej.

“I është hequr vetëm neni 3, çka është absolutisht e pamjaftueshme. Ne e kundërshtojmë versionin aktual të nenit 5 i cili përmban amnisti për shumë vepra penale, sidomos në fushën ekonomike të cilat vlejnë për tërë territorin e Kosovës dhe mendojmë që në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohet që të amnistohet kriminaliteti ekonomik i këtyre 14 viteve të fundit në Kosovë”, ka thënë Korenica.

Në anën tjetër, Ramush Tahiri beson se me heqjen e nenit 3 nga Projektligji shqetësimet duhet të jenë shumë më të vogla.

Që polemikat të ishin më të vogla rreth tij, Tahiri mendon se ky ligj është dashur të vlente vetëm për amnistimin e strukturave në veri.

“Kosova mbase ka nevojë për një ligj tjetër të amnistisë, por duhet politikisht dhe juridikisht më parë të përcaktohen kriteret se çka dëshirohet të arrihet me një amnisti të tillë. Unë nuk shoh arsye që kjo amnisti të shtrihet jashtë komunave në veri”, ka deklaruar Tahiri.

Menjëherë pas miratimit të ligjit të amnistisë, Beogradi është zotuar se do të angazhohet në veri për të informuar këtë komunitet në lidhje me marrëveshjen e arritur me Prishtinën në mënyrë që serbët e atjeshëm të dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale me 3 nëntor.

Dalja e tyre në zgjedhje do të prodhonte fillimisht organet e reja si, kryetarët dhe asambletë komunale e më pas edhe formimin e asociacioni të komunave serbe, organ ky i paraparë me Marrëveshjen e 19 prillit.

Mirëpo, sipas një studimi të institutit KIPRED të prezantuar nda drejtori ekzekutiv, Ilir Deda, ky asociacion në bazë të marrëveshjes 15 pikëshe, do të mund të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, përkatësisht ligjit kushtetues i cili pritet të miratohet. Andaj, edhe kjo shihet si një sfidë e integrimit të veriut.

“Bashkësia e komunave serbe mund të luajë me dy kapela. Edhe të jetë pjesë e Kosovës edhe pjesë e Serbisë. Nuk mendoj që për normalizim është e mundur të kemi një entitet të tillë i cili mund të na sfidoj sa herë që nuk i pëlqen një vendim i cili do të merret në Prishtinë”, ka vlerësuar Deda.

Gjatë vizitave të fundit në Kosovë, zyrtarët evropian dhe ata amerikan u kanë kërkuar institucioneve në Prishtinë që të vendosin kontaktet me serbët e veriut, në mënyrë që implementimi të mos mbetet barrë vetëm mbi Serbinë.

Ramush Tahiri thotë se vendosja e kontakteve me këtë komunitet është obligim kushtetues i institucioneve dhe pret që komunikimi të thellohet sidomos pas zgjedhjeve lokale.

Po në funksion të vazhdimit të dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura, shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton ka zhvilluar të hënën një takim të përbashkët në Bruksel me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa sot, ajo po qëndron në Beograd, nesër pritet të vijë edhe në Prishtinë ku do të njihet nga afër me hapat e parë që institucionet e Kosovës po i ndërmarrin në funksion të zbatimit të marrëveshjeve me Beogradin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG