Ndërlidhjet

Interesi i Kosovës është që Projektligji për amnisti të kalohet, dhe LDK-ja është duke u angazhuar që ai projektligj të kalojë. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Arben Gashi anëtar i kryesisë së LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Legjislacion në Kuvend.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, të enjten pritet te shqyrtohet në Kuvend sërish për Ligjin mbi amnistinë. Janë paralajmëruar edhe protesta kundër tij. LDK, në parim e ka përkrahur atë, por a konsideroni se janë pjekur kushtet që ky Ligj të miratohet?

ARBEN GASHI
Në situatën në të cilën jemi, kushtet paraprake për aprovim të këtij ligji janë shpenzuar dhe besoj se tash jemi në situatë ku ne duhet të kalojmë në veprime konkrete dhe ta aprovojmë ketë ligj. Ka njerëz që kanë ndarë opinione të ndryshme për këtë Ligj, mirëpo e rëndësishme është që ne të marrim një vendim, dhe vendimi të jetë në interes të qytetareve të Kosovës.

Është e vështirë të marrësh një vendim të tillë dhe situata e tillë është krijuar që simpatia popullore fitohet nëse kundërshton ketë Ligj, mirëpo interesi i Kosovës është që ky Ligj të kalohet, besojmë që është interesi i Kosovës që ky Ligj të kalohet dhe po angazhohemi që ky Ligj të kalojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Jo të gjithë deputetët e LDK-së, herën e parë kanë votuar pro për projektligjin. Sa janë përfillur vërejtjet e juaja për ndryshimet në përmbajtjen e projektligjit?

ARBEN GASHI
Vërejtjet tona substanciale që i kemi pasur janë përfshi 100% në Ligj dhe ne tashmë jemi të kënaqur me përfshirjen e vërejtjeve tona, mirëpo duhet ta dimë se Ligji i tillë është një produkt i një kompromisi dhe kompromisi gjithmonë është lëshim i dyanshëm.

Vërejtja jonë ka qenë lidhur me ligjin paraprak, neni tre është hequr tërësisht, dhe vërejtje tjetër po ashtu ka qenë futja e nenit të ri i cili thotë se veprat penale kundër trupit, jetës dhe shëndetit nuk janë objekt i kësaj amnistie dhe kjo është marrë në konsideratë dhe besoj që është pozitive.

Po ashtu edhe një element tjetër ka qenë edhe bashkimi i veprave penale dhe në rast se amnistohet një vepër penale, çka ndodh me veprat e tjera penale kur një person është dënuar dhe po ashtu edhe kjo është marrë në konsideratë dhe është e pranueshme. Besoj se Ligji do të kalohet, kushtet elementare që i ka vendosur LDK-ja, janë plotësuar dhe ne duhet të angazhohemi që ky Ligj të zbatohet sa më shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ligji mbi amnistinë buron nga Marrëveshja e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni ju rrjedhën e deritashme të zbatimit të saj dhe dialogut që po vazhdon në Bruksel?

ARBEN GASHI
Marrëveshja është komplekse ashtu siç është edhe Ligji kompleks, po në të njëjtën kohë po aq komplekse janë edhe raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në gjithë ketë kompleksitet ne duhet të jemi të kujdesshëm me deklarata, por të jemi po ashtu të kujdesshëm dhe shumë aktivë me veprimet tona për të garantuar respektim të Ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe për të garantuar mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë në interesin e Kosovës marrëveshjet e arritura në këtë dialog dhe a kanë vend shqetësimet se po rrezikohet shtetësia dhe funksionaliteti i Kosovës me këto marrëveshje?

ARBEN GASHI
Gjithmonë ka vend për shqetësime dhe dyshime e kujdes të shtuar, sidomos kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë, dhe kur t’i shtohet kësaj edhe mungesa e përgjegjshmërisë së qeverisjes dhe vullnetit dhe përfaqësimit demokratik të qeverisjes.

Mirëpo, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe jemi këtu për të mbrojtur interesin e Kosovës dhe për të ruajtur momentumin e përkrahjes ndërkombëtare dhe po ashtu për të ruajtur momentumin e krijuar lidhur me raportet ndërkombëtare të Kosovës dhe situatës në tërësi që është krijuar.

Ju e dini që çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e Kosovës janë një proces i cili ka qenë proces po ashtu i përkrahur ndërkombëtarisht dhe pa përkrahje ndërkombëtare ne nuk do të mbërrinim në këtë pikë të statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe besoj që përkrahja ndërkombëtare për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kënaqja e interesave dhe vizioneve të qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku janë shqetësimet e LDK-së me marrëveshjen?

ARBEN GASHI
Shqetësimet e LDK-së janë në shumë aspekte, por aspektet kryesore kanë të bëjnë me kapacitetet negociuese të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe te dilemat e shumta për shuarjen e strukturave paralele, po ashtu, ndikimi në sistemin e brendshëm juridik, lidhjet e ndryshme, sistemi i mesëm i qeverisjes, dhe shumë elemente të tjera për të cilët ne kemi kujdes të shtuar dhe jemi këtu për të garantuar që mos të rrezikohet tërësia territoriale dhe administrative e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më tre nëntor. Cilat janë pritjet e LDK-së dhe a ka ndonjë përafrim të subjektit që ju përfaqësoni, me PDK-në, sepse ka shumë, nëse mund t'i quajmë, spekulime në këtë drejtim?

ARBEN GASHI
Në tërësi, për procesin e zgjedhjeve, ne i kemi pasur shqetësimet tona se nëntori është kohë e papërshtatshme për t'u mbajtur zgjedhjet, mirëpo u krijua kjo situatë dhe ne duhet të marrim pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

Ne nuk kemi përafrim me Partinë Demokratike të Kosovës, ne shkojmë si subjekt i veçantë në zgjedhje dhe besoj që do të jemi subjekt kryesor në këtë proces zgjedhor dhe do të dalim si subjekt i konsoliduar dhe subjekt i cili do të marrë përgjegjësi për qeverisjen e Kosovës në nivel komunal, në shumicën e komunave të Kosovës.

Sa i përket spekulimeve për përafrim të PDK-së me LDK-në, këto janë të pavërteta dhe unë e di që ka qëndrim zyrtar të LDK-së, se LDK-ja nuk ka koalicion me asnjë parti, nga partitë e mëdha po flas këtu, dhe orientimi është që Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë partia e parë në Kosovë dhe të qeverisë në vend. Ky është orientimi strategjik i LDK-së dhe qëndrimi dhe angazhimi ynë, që LDK-ja të jetë parti fituese dhe të drejtojë vendin.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG