Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi miratoi Ligjin e amnistisë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Me procedura të shpejtuara, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e amnistisë duke e vënë atë në dy lexime brenda një dite.

Deputetët vendosën kësaj radhe që të miratojnë këtë Ligj, vetëm një javë pasi që e kishin rrëzuar atë.

Përkrahja për ligjin mbi amnistinë ishte rritur pas heqjes së nenit tre, duke reduktuar numrin e veprave që parashihet të amnistohen.

Po ashtu, versioni i ri nuk jep më amnisti për vepra që kanë cenuar jetën e njerëzve dhe kanë të bëjnë me krime të rënda.

Drafti është prezantuar fillimisht para deputetëve nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai ka thënë se ligji trajton çështjen e amnistisë konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Unë nisem nga një thënie filozofike që e përdori shpesh edhe vetë për drejtësinë, se kur një Ligj nuk i bie tamam një populli, duhet të ndryshohet Ligji dhe jo populli. Në këtë drejtim është parë që Ligji i kaluar nuk ka rënë tamam Kuvendit të Republikës së Kosovës, një pjese të shoqërisë civile, një pjese të subjekteve dhe individëve të tjerë dhe unë mendoj se Ligji sot është i ndryshuar”, ka thënë Kuçi.

Më pas, gjatë debateve, ligji është mbështetur nga partitë e koalicionit, PDK, AKR dhe pakicat. Po ashtu, edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK i kanë dhënë mbështetje.

Në emër të LDK-së, deputeti Haki Demolli ka thënë me heqjen e nenit tre nga ky Ligj janë plotësuar kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu që edhe është mbështetur për aprovim.

Dispozitat e këtij Ligji iu garantojnë të gjitha familjeve të vrarëve, të gjithë kosovarëve, se me këtë Ligj nuk do të amnistohet asnjë vrasës, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, moshës, kohës, vendit apo viktimës së tij”, ka thënë Demolli.

Ndërkaq në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ardian Gjini ka vlerësuar se versioni i sotëm i ligjit e përjashton mundësinë e faljes së krimeve të rënda ordinere andaj edhe i ka dhënë mbështetje miratimit të tij.

“Ne po u japim amnisti disa qytetarëve të Kosovës që deri më tani kanë refuzuar ta njohin shtetin e Kosovës dhe të jenë pjesë e ligjit, sikurse të gjithë qytetarët tjerë dhe për një moment po u jepet mundësia që ta bëjnë një gjë të tillë. Kështu e sheh AAK dhe kjo është arsyeja pse Aleanca e jep votën për”, ka thënë Gjini.

Edhe kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër miratimit të Projektligjit të amnistisë.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e ka cilësuar këtë ligj si kriminal. Sipas tij, deputetët që votojnë për miratimin e tij, votojnë për krimin.

Ai ka adresuar sërish kritika të ashpra në adresë të kryeministrit Hashim Thaçi, madje duke i kërkuar atij që të dorëzohet vetë dhe shkojë në burg, si tha ai, për të shpëtuar Kosovën.

Unë i bëj thirrje kryeministrit Thaçi që të shkoj e të dorëzohet të EULEX-i të cilin vetë e ka ftuar apo edhe më mirë, të shkojë në Prokurorinë e Kosovës dhe të rrëfehet gjerë e gjatë për të gjitha krimet e gjithë korrupsionin që e ka bërë. Sulmet mbi Kosovën do të zmbrapsen dhe nuk do të jetë më aspak e domosdoshme që të bëjmë dialog me Serbinë, pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, edhe PDK nuk e ka kursyer Vetëvendosjen nga kritikat dhe akuzat.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje përfiton më së shumti nga ky Ligj.

“Përfituesja më e madhe nga amnistia, përveç strukturave paralele në veri, është edhe Lëvizja Vetëvendosje në jug. Anëtarëve të Vetëvendosjes do t’u falen me dhjetëra vepra penale të shkaktuara kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra tjera huligane. Po i amnistojmë, falim rebelet në veri, le t’i falim edhe këta në jug”, ka thënë Haxhiu.

Ligji mbi amnistinë buron nga Marrëveshja 15 pikëshe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes këtij është planifikuar të amnistohen strukturat paralele ilegale në veri të cilat sipas marrëveshjes më pas do të fillonin integrimin në strukturat legale të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG