Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Kosova gati të nis negociatat për MSA


Prishtinë - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, 11Korrik2013

Prishtinë - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, 11Korrik2013

Qeveria e Kosovës është e përgatitur që të filloj sa më shpejt negocimin e Marrëveshjes për Stabilizimi-Asociim, tha të enjten kryeministri Hashim Thaçi, gjatë hapjes së takimit në dialogun Kosovë-BE për këtë proces.

Sipas shefit të qeverisë, Prishtina zyrtare qysh në muajin shkurt 2013, ka miratuar strukturën negociuese dhe se tani po punon në ngritje të kapaciteteve të institucioneve.
“Para nesh janë shumë sfida, por ato nuk janë të patejkalueshme”, porositi ai.

Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi tha se reforma e administratës publike vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë, dhe se pas miratimit të pakos legjislative në fushën e administratës publike, ka nisur procesi i ristrukturimit të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ai paralajmëroi edhe se nga 1 janari do të filloj zbatimi i sistemit të ri të pagave.
“Sistemi i ri do të inkurajon ngritjen e performancës dhe meritokracisë në shërbimin civil”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi në një komunikatë për medie.

Në takimin e katërt të Dialogut të Procesit për Stabilizim-Asociim, shefi i qeverisë në Prishtinë përsëri përshëndeti vendimin e liderëve të shteteve anëtare të BE-së që në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian të dorëzuar në prill kanë hapur rrugë për fillimin e negocimit të Marrëveshjes Stabilizim Asociimi mes Kosovës dhe BE-së.

Zgjedhjet, siç tha kryeministri Thaçi janë një nga temat që sigurisht se do të vazhdojnë të jenë subjekt i agjendës së reformave.
XS
SM
MD
LG