Ndërlidhjet

Në Kuvend rritet mbështetja për Ligjin e amnistisë


Ilustrim

Ilustrim


Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin në lidhje me Projektligjin për amnistinë. Drafti është prezantuar para deputetëve nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ai ka thënë se projektligji trajton çështjen e amnistisë konform kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Njëherësh, Kuçi i ka njoftuar deputetët se janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet e seancës së fundit, kur Kuvendi kishte dështuar ta miratonte atë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Më pas, gjatë debateve, projektligji është mbështetur nga partitë e koalicionit, PDK, AKR dhe pakicat.

Po ashtu, edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK i kanë dhënë mbështetje.

Në emër të LDK-së, deputeti Haki Demolli ka thënë me heqjen e nenit tre nga ky projektligj janë plotësuar kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu që edhe është mbështetur për aprovim.

Ndërkaq në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ardian Gjini ka vlerësuar se versioni i sotëm i projektligjit e përjashton mundësinë e faljes së krimeve të rënda ordinere andaj edhe i ka dhënë mbështetje miratimit të tij.

Edhe kësaj radhe, lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër miratimit të projektligjit të amnistisë.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se projektligji nuk i plotëson standardet ndërkombëtare dhe si i tillë nuk duhet të miratohet.

Përmbajtja e tij, sipas deputetes Haxhiu është caktuar në dialogun me Serbinë sipas dëshirave të kryeminisrit serb Ivica Daçiq.

Debati po i vazhdon dhe pritet që në fund të votohet për miratimin e tij.

Nëse Projektligji merr mbështetjen e deputetëve, atëherë ai do të procedohet për miratimin final gjatë seancës së pasditës, ngase Kuvendi ka vendosur që ai të kaloj me procedura të shpejtuara.

Ky Ligj buron nga Marrëveshja 15 pikëshe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes këtij ligji ishte menduar të amnistohen strukturat paralele ilegale në veri të cilat sipas marrëveshjes më pas do të fillonin integrimin në strukturat legale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG