Ndërlidhjet

Denis MacShane paditet për deklarim të rrejshëm


Denis MacShane, deputeti i dikurshëm i Partisë Laburiste, dhe ministër për Evropë në qeverinë e Tony Blair

Denis MacShane, deputeti i dikurshëm i Partisë Laburiste, dhe ministër për Evropë në qeverinë e Tony Blair

Ish deputeti laburist Denis Macshane është akuzuar për deklarim të rrejshëm të shpenzimeve parlamentare në vlerë prej 12,900 funta, njoftoi të enjten shërbimi i prokurorisë mbretërore.

65 vjeçari, i cili përfaqësoi Rotherham dhe ishte ministër për Evropën në qeverinë e Tony Blair, do të paraqitet para gjykatës së qytetit Westminster më 30 korrik.

Macshane është politikani i radhës që akuzohet për deklarimin skandaloz të shpenzimeve të vitit 2009, ç’gjë ka irrituar publikun dhe ka dëmtuar besimin ndaj parlamentit.

Sistemi është reformuar pas deklarimeve të disa parlamentarëve që kishin kërkuar kompensim të shpenzimeve për pothuajse gjithçka, nga filmat pornografik e deri tek riparimi i fushave të tyre të tenisit.

Prokurorët thanë se MacShane akuzohet për një pikë të vetme, dhe atë për deklarim të falsifikuar të shpenzimeve, sipas Aktit për Vjedhje 1968.

“Dyshohet se Denis MacShane ka kërkuar kompensim të shpenzimeve për një hulumtim dhe shpenzime të përkthimit që janë kryer nga një kompani, e cila nuk e ka bërë fare atë punë”, ka thënë përmes një komunikate Malcolm McHaffie, zëvendëskryesuesi i njësisë për krime brenda Shërbimit të Prokurorisë Mbrëtërore (CPS).

MacShane ka dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar si deputet, pas një hetimi parlamentar për shpenzimet e tij.

Në një deklaratë të lëshuar atëbotë, MacShane pati thënë se nuk ka përfituar personalisht nga faturat që ka dërguar për kompensim, por ka pranuar se karrierës së tij “parlamentare i ka ardh fundi”.

Pas dorëheqjes, Macshane ka kthyer të gjitha paratë që i janë kompensuar si shpenzime të deklaruara.
XS
SM
MD
LG