Ndërlidhjet

logo-print
Një njeri i moshës së mesme është i ulur në kafe dhe me gllënjkë pi alkool absinth, para vetes e ka gazetën e paprekur. Ai e ka shikimin e ngulitur një një femër të re, që zë vend në mënyrë misterioze në një kënd të tavolinës së tij. E zhveshur si Eva, ajo është me ngjyrë të gjelbër të tejdukshme. Kamarieri rri duke pritur në afërsi.

Kjo është piktura “I dehuri me absinth”nga viti 1901, e autorit Viktor Oliva, që është e varur në restorantin e respektuar “Cafe Slavia”, që është hapur në vitin 1884 dhe ishte një fortesë e vogël e artistëve disidentë, prej Vacllav Havellit e deri te Jirzhi Kolar, gjatë periudhës komuniste.

Joshja e saj duket se ishte një ushqim shpirtëror për qytetin ku absurditetet në fushën publike shpeshherë e kanë inkurajuar zhytjen në alkool dhe erotikë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times, duke konstatuar se muajin e kaluar çekët ishin shtyrë në një botë surrealiste.

Më 12 dhe 13 Qershor, afro 400 policë kanë ndërhyrë në zyrat e kryeministrit Peter Necas, në Ministrinë e mbrojtjes, në Bashkinë e qytetit të Pragës, në zyra të tjera qeveritare dhe në disa banka dhe shtëpi.

Sasi të arit dhe afro 8 milionë dollarë para të gatshme janë zbuluar me atë rast. Nëntë zyrtarë të lartë, përfshirë medhe shefen e kabinetit të kryeministrit, Jana Nagyova, dhe drejtorët e tashëm dhe të dikurshëm të inteligjencës ushtarake, ishin arrestuar dhe akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës.

Katër ditë më vonë, zoti Necas, lider i Partisë Qytetare Demokratike të krahut të djathtë, paraqiti dorëheqje.

Këtë javë prokurorët kërkuan nga parlamenti që atij t’ia marrin imunitetin e deputetit, një sinjal që ai mund të ballafaqohet me akuza për korrupsion, shkruan New York Times.

Bashkëpunëtorja e tij më e afërt, Jana Nagyova, ishte akuzuar se ka urdhëruar që agjentët e inteligjencës ushtarake ta përcillnin bashkëshorten e shefit të saj dhe se u ka ofruar punë tre anëtarëve të parlamentit në kompanitë në pronësi shtetërore, meqë ata e kishin kundërshtuar planin e kursimit të qeverisë.

Presidenti Millosh Zeman, e ka emëruar personin Jirzhi Rusnok, ish-ministër i financave nga koha kur në qeveri ishin socialdemokratët, tash në opozitë, që ta udhëheq qeverinë e ekspertëve deri në zgjedhjet e ardhshme,shkruan New York Times.

Disa vëzhgues këtë e vlerësojnë si krizën më serioze prej përmbysjes së komunizmit në vitin 1989. Por, nëse situata shikohet nga një pikëpamje më e gjërë, atëherë mund të fitohet një përshtypje tjetër.

Vetëm para 30 vitesh, kamarierët në Cafe Slavia shumë lehtë kanë mundur të punojnë për policinë sekrete, selia e së cilës ishte vetëm pesë minuta prej aty. Në vitin 1968, pasi tanket sovjetike e thyen Pranverën e Pragës së Aleksander Dubçekut, që jetoi për një kohë të shkurtër, shkrimtari Ivan Klima është marrë në pyetje këtu.

Ai e rikujton se si një tjetër shkrimtar, Jan Neruda, e ka përshkruar atë si “vend jofunksional, të varfër dhe të zymtë”.

Zoti Klima çuditërisht nuk kishte problem me faktin se lokalet nuk ishin ndryshuar prej kohëve të monarkisë Austro-hungareze.

Në momentin ku situata e zotit Necas është serioze, ajo që të bie ndërmend është se vetëm qeveria është shkatërruar, e jo sistemi politik, apo ideologjia.

Demokracia e krijuar në vitin 1989 nga grupi i disidentëve të mbledhur rreth Havellit, tash e ka sfiduar republikën e mirënjohur ndërluftëra të filozofit Tomas G. Masaryk, themelues i Çekosllovakisë.

Republika Çeke, që së bashku me Sllovakinë u ndanë në mënyrë paqësore në vitin 1993, është shndërruar në një tjetër anëtar të Bashkimit Evropian, në një tjetër shtet në Evropën Qendrore. Në dritën e hsitorisë çeke, skandali i fundit mund të jetë i famshëm për banalitetin dhe absurditetin e tij, shkruan New York Times.

Kjo mund të ndodhë, poashtu, në Italinë e Silvio Berlusconit.

Një detaj ngacmues, megjithatë, na përkujton kohën e kaluar jo të largët. Jana Nagyove, ish-shefe e kabinetit të kryeministrit, që shihet me sy të keq, ka mundur të jetë edhe dashnorja e tij. Ajo qartazoi e shfrytëzoi autoritetin e saj për të urdhëruar vëzhgimin e bashkëshortes së tij, që është një manovër dëshprues.

Praga ndoshta më nuk do të jetë pasqyrë ku ne e shohim realizimin e ëndrrës evropiane, por nuk e ka humbur magjepsjen surrealiste, shkruan në fund të artikullit të gjatë e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG