Ndërlidhjet

Protestë kundër Projektligjit të amnistisë


Disa qindra qytetarë, nën organizimin e shoqërisë civile, të enjten janë tubuar për të protestuar para ndërtesë së Kuvendit të Kosovës, duke e kundërshtuar votimin e Projektligjit për amnisti.

Për të kundërshtuar këtë projektligj edhe sot po vazhdon nënshkrimi i peticionit, të cilin e ka organizuar Instituti KIPRED.

Shpend Kursani, nga ky institut ka theksuar se përmes kësaj proteste, kundërshtohet miratimi i përshpejtuar i Projektligjit për Amnistinë, që sipas tij është produkti i parë dhe më i keq i marrëveshjes së Brukselit.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët herën e kaluar nuk e kishin votuar projektligjin, që përsëri të mos e votojnë dhe siç tha ai, të mos u nënshtrohen presionit të ambasadave lidhur me këtë çështje.

“Seancën e kaluar, kur u kundërshtua projektligji, sepse ishte tejet qesharak, rreth 22 deputet të Kuvendit votuan kundër. Ne i thërrasim ata deputet që edhe sot të votojnë kundër, pa marrë parasysh deklaratave që i kanë dëgjuar nga ndonjë ambasador. Prandaj, qytetarë të Republikës, ne kemi dalë shumë që t’iu bëjmë presion të drejtë, sepse presioni prej qytetarit është i larti, pra, prej ambasadave”, tha Kursani.

Drejtori ekzekutiv i institutit KIPRED, Ilir Deda, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se neni 5 i Projektligjit të Amnistisë, mund të sqarohet brenda 24 orëve, se për kë vlen dhe për cilën pjesë të territorit të Kosovës.

Sipas tij, shoqëria civili i ka bërë thirrje ekzekutivit të vendit dhe partive politike që të tregojnë vullnetin e mirë dhe të ulen së bashku me shoqërinë civile që ta sqarojnë këtë nen, në mënyrë që projektligji të jetë i pranueshëm.

Por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur dhe tashmë votimi ose jo i projektligjit varet, siç u shpreh ai, nga ndërgjegjja e deputetëve.

“Kjo tash varet nga ana e deputetëve tanë, prej partive politike, se a kanë vullnet që ta specifikojnë këtë ligj apo me të vërtetë duan që të bëhen votues të amnistimit të krimit të organizuar dhe kriminalitetit në gjithë territorin e Kosovës dhe me këtë, të rrinë prapa krimit në Kosovë. Presioni ndërkombëtarë ka filluar t’i kalojë vijat e të pranueshmes politike".

"Do të thotë, këtu në një anë kërkohet prej Kosovës, në mënyrë deklarative, që ta luftoj krimin dhe ta respektoj ligjin, si dhe nga Kuvendi i Kosovës kërkohet në raportet e progresit evropian që të punojnë në bazë të standardeve dhe procedurave të veta e në anën tjetër, me këtë ligj janë shkelur të gjitha procedurat dhe rregulloret e Kuvendit dhe të asaj se si duhet të draftohet një ligj i tillë”, ka thënë Deda.

Deda, ka shprehur bindjen se rekomandimet e ambasadorëve në Kosovë që Projektligji për amnistinë të votohet në Kuvend, nuk është rezultat i asaj që ambasadorët e kanë kuptuar mirë përmbajtjen e këtij projektligji.

Ambasadorët nuk e kanë lexuar ligjin. Jam i sigurt. Atyre u është dhënë interpretimi politik dhe ata veprojnë në bazë të këtij interpretimi politik, i cili nuk gjendet në ligj. Unë mendoj se ekziston një mungesë e informimit të madh, te të gjithë akterët në Kosovë dhe jashtë Kosovës, me përmbajtjen e këtij ligji”.

Ndryshe, gjate tubimit protestues, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë njoftuar se deri afër mesditës kanë mbledhur mbi 7 mijë nënshkrime në peticionin me të cilin e kundërshtojnë Projektligjin e Amnistisë, në formën ekzistuese.

Ata kanë theksuar se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe nëse arrijnë t’i tubojnë mbi 10 mijë, atëherë ky peticion do t’i dërgohet presidencës së Kosovës dhe projektligji, sipas tyre, do t’i kthehet Kuvendit, pavarësisht nëse ai është votuar paraprakisht.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG