Ndërlidhjet

logo-print
Qeveria e Serbisë nuk po arrin t’i bindë liderët e serbëve të komunave veriore të Kosovës për pjesëmarrje në procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale.

Data 3 nëntor, tashmë është caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, edhe atë në harmoni me konsensusin e arritur në dialogun me Beogradin.

Por, për përfaqësuesit e serbëve në veri, pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës do të ishte një rrugë pa krye dhe e papranueshme.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin ka vizituar të premten komunat e Istogut dhe Zveçanit.

Sipas tij, qeveria serbe po bën gjithçka që të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen e arritur në Bruksel me Prishtinën, përfshi edhe çështjen e zgjedhjeve lokale dhe konstituimin e organeve për komunat veriore.

“Qeveria e Serbisë do të zbatoj të gjitha çështjet për të cilat është arritur marrëveshje. Kurse OSBE-ja është ajo që do t’i ndërmerr edhe disa vendime të domosdoshme në këtë proces“, ka thënë Vulin.

Sipas marrëveshjes, zgjedhjet në veri, i organizon OSBE-ja, por nën ombrellën e ligjeve të Kosovës.

Pjesëmarrja e serbëve verior në zgjedhjet e ardhshme lokale, nga kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ishte konsideruar si vendimtar para se Bashkimi Evropian të vendos për t’i dhënë përfundimisht Serbisë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Mirëpo, kërkesa e Beogradit për pjesëmarrjen e serbëve verior në zgjedhjet e Kosovës, duket të jetë e papranueshme për liderët e komunave në veri.

Njëri nga liderët e serbëve të asaj pjese, Milan Ivanoviq thotë se qëndrimi i serbëve të komunave veriore për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës është shprehur edhe me formimin e kuvendit paralele në Zveçan.

“Ai proces zgjedhor është pjesë e sistemit kushtetues të këtij shteti të Kosovës në të cilin ne serbët nga veriu i nuk marrim pjesë, andaj edhe nuk do të marrim pjesë as në zgjedhje“, ka thënë Milan Ivanoviq.

Sipas tij, mënyra e vetme që garanton ekzistencën e serbëve është mos integrimi i tyre në institucionet e shtetit të Kosovës.

“Nëse hyjmë në këtë rrugë pa kthim do të humbim të gjitha gjasat që t’i ruajmë vendet tona të punës, familjet tona dhe mbijetesën tonë në Kosovë“, ka deklaruar Ivanoviq.

Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiq, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nuk beson që serbët e veriut kanë qëndrime unike lidhur me pjesëmarrjen apo bojkotimin e zgjedhjeve.

“Nëse megjithatë nuk do të mbahen zgjedhjet në veri, kjo do të kishte si pasojë vazhdimin e krizës politike e cila do të kushtëzonte një paqëndrueshmëri politike e ndoshta edhe joqëndrueshmëri në fushën e sigurisë“, ka thënë Miletiq.

Ai i ka ftuar serbët verior të marrin shembull Graçanicën para dhe pas pjesëmarrjes në zgjedhje.

Sipas tij, që nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, kjo qytezë e banuar me shumicë serbe ka shënuar përparime të shumta në të gjitha fushat.

Ndërkohë, një përfaqësues tjetër politik i serbëve në veri, Oliver Ivanoviq, mendon se nëse bojkotimi i zgjedhjeve do të jetë masiv, atëherë Prishtina dhe Bashkimi Evropian mund të bëjnë emërimin e organeve komunale në atë pjesë.

“Emërimet në atë rast do të bëheshin në atë formë që asambletë komunale do të themeloheshin sipas formulës së vitit 2000, që nënkupton emërimin e kuvendeve komunale dhe kryetarit të komunës. Ky do të ishte skenari më i keq ngase në krye të komunave serbët do të kishin njerëz të cilët nuk i kanë zgjedhur dhe nuk i kanë votuar”, ka thënë Oliver Ivanoviq.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse vizitat e shpeshtuara të zyrtarëve nga qeveria e Serbisë në Kosovë do të ndryshojnë pozicionin e liderëve të veriut në raport me Marrëveshjen e arritur në Bruksel, e cila parasheh integrimin e këtij komuniteti, por duke e ruajtur një autonomi të gjerë që garantohet me asociacionin e komunave serbe, organ ky që mund të formohet pas zgjedhjeve lokale nga kryetarët e zgjedhur nëpër komunat me shumicë serbe.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG