Ndërlidhjet

Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga pala greke lidhur me letrën që kryeministri Nikolla Gruevski i ka dërguar kryeministrit grek, Andonis Samaras pë takime direkte për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Ndërkohë, përmes një komunikate qeveria ka bërë të ditur se nuk do të komentojë apo spekulojë lidhur me negociatat që po zhvillohet me ndërmjetësimin e të dërguarit të OKB-së, Metju Nimic me qëllim që të mos e rrënojë procesin apo të ndikojë në bisedime.

“Vetëm nëse do të ketë ndonjë përgjigje pozitive nga pala greke lidhur me idetë e ndërmjetësit Nimic për zgjidhjen e kontestit, Qeveria do të informojë opinionin si dhe të gjithë faktorët e tjerë dhe do të përpiqet që me konsensus të vazhdojë diskutimin për propozimin. Por, fjalën e fundit për çdo ide apo propozim do ta kenë qytetarët në referendum”, thuhet në komunikatën e fundit të qeverisë.

Reagimi i tillë vjen edhe pas kërkesës së LSDM-së opozitare për takim të liderëve të partive politike, reagim ky që pasoi shpalosjen propozimit të Nimicit nga ana e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti gjatë vizitës në Sofje të Bullgarisë.

Sipas këtij të fundit, Nimic ka propozuar emrin “Republika e Maqedonisë së Epërme“.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare nuk presin që të ketë ndonjë përgjigje pozitive nga Athina zyrtare.

Më këtë, sipas ish-diplomatit Risto Nikovski, pala greke do të dëshmojë se ajo nuk është e interesuar për zgjidhjen e kontestit.

Greqia nuk është e interesuar për zgjidhjen e kontestit. Është më se e vërtet se atyre nuk u bëhet vonë për këtë problem edhe për faktin se vendi i tyre përballet me probleme të ndryshme. Për dallim nga apala greke, ne jemi të interesuar për zgjidhjen e kontestit dhe në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe letrën e kryeministrit Gruevski dhe aktivitetet e ndryshme që kemi pasur periudhën e fundit. Por, edhe sikur të ketë ndonjë përgjigje nga pala greke, besoj se ajo do të ishte negative“, thotë Nikovski.

Në këtë kuadër, edhe analisti Albert Musliu nuk pret ndonjë përgjigje pozitive nga pala greke ndërsa letrën e Gruevskit e sheh vetëm si tentim për të përfituar para diplomacisë evropiane.

“Komunikimi përmes letrave të hapura në diplomaci nuk është ndonjë prakikë shumë e njohur pasi përgjigja ndaj letrës së hapur do të jetë po ashtu me letër të hapur. Nëse për ne prioritet janë eurointegrimet, për Greqinë me siguri se kjo çështje nuk është primare apo që e ngarkon agjendën e kryeministrit Samaras, kështu që nuk pres ndonjë çudi prej letrës. Ajo paraqet vetëm një mënyrë se si kryeministri tenton të pozicionohet para faktorëve tjerë ndërkombëtarë“, thotë analisti Albert Musliu.

Megjithatë, ish-diplomati Nikovski thotë se Maqedonia duhet të vazhdojë me përpjekjet për të arritur zgjidhjen nga e cila varet procesi integrues.

“Maqedonia nuk ka zgjidhje tjetër, por të dalë me iniciativa të ndryshme, pasi ne përballemi me bllokada dhe kushtëzime nga Brukseli pasi të cilët qëndrojnë fuqitë e mëdha, para së gjithash SHBA-të, që së pari të zgjidhet emri e pastaj anëtarësimi në NATO dhe BE. Pra, ne duhet të dalim me sa më shumë iniciativa“, thotë Nikovski.
XS
SM
MD
LG