Ndërlidhjet

Kosovë: Veprimi i ish-deputetit bullgar – pikëpamje e tij personale


Pamje e një pjese të qendrës së Prishtinës
Pamje e një pjese të qendrës së Prishtinës
Ambasada e Bullgarisë në Kosovë thotë se përdorimi i një video-materiali të vjetër nga mediat, është në shpërputhje të plotë me realitetin aktual politik dhe rrjedhimisht ai është i pakuptimtë.

Kjo deklaratë i referohet një videoje në të cilën shihet një person duke e grisur flamurin e Republikës së Kosovës.

Ambasada bullgare thekson se personi “Pavel Chernev, kurrë nuk ka qenë ministër në ndonjë qeveri bullgare” dhe shton se brenda periudhës 2005 – 2009, ka qenë anëtar i Parlament të Bullgarisë”, transmetohet në një njoftim të Ministrisë së jashtme të Kosovës, që u është dërguar mediave, e në të cilën thuhet se ky sqarim ishte pranuar nga Ambasada e Bullgarisë.

Mëtutje, theksohet se për të parën herë lajmi ishte publikuar nga kanali televiziv serb TV Plus, ndërsa në YouTube ishte postuar në mars të vitit 2008.

“Konferenca për media, së cilës i referohen mediat, ndërlidhet me vendimin e Qeverisë së Bullgarisë, e cila më 19 Mars 2008, kishte marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në sqarim dhe shtohet se “deklarata e Pavel Chernev dhe sjellja e tij në atë kohë reflektojnë pikëpamjet e tij personale”.

Bullgaria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe në proceset për integrim në BE dhe NATO.

Në fund të sqarimit theksohet se “Bullgaria nuk ka asnjë çështje të hapur apo të pazgjidhur në relacionet tona biletarale me Republikën e Kosovës” dhe konstaton se “ato nuk mund të ndikohen as në mbulime të tilla mediale”.
XS
SM
MD
LG