Ndërlidhjet

Stavileci: Kosova së shpejti me rezultate të regjistrimit të bujqësisë


Blerand Stavileci

Blerand Stavileci

“Gjatë këtij viti do të realizohet regjistrimi bujqësor në Kosovë, regjistrim ky i cili nuk është bërë që nga viti 1960 dhe përfundimisht Kosova do ta ketë pasqyrën e plotë me të dhëna të sakta për bujqësinë kosovare, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër, cilat janë vështirësitë me të cilat po përballen fermerët në Kosovë?

BLERAND STAVILECI
Vështirësitë janë të shumta. Një pjesë e tyre janë më tepër si produkt i asaj nëpër çka kemi kaluar ne si shtet, por edhe ekonomia kosovare dhe sidomos bujqësia si një fushë e rëndësishme e cila në të kaluarën ka qenë e nënvlerësuar dhe jo e përkrahur sa duhet edhe nga shoqëria edhe nga shteti. Natyrisht që ka edhe vështirësi që janë aktuale, të cilat asnjëherë nuk mund të parashihen që nuk e godasin vetëm fermerin kosovar, por i godasin fermerët gjithandej botës.

Faktori klimatik, kushtet klimatike të ndryshueshme ua vështirësojnë jetën dhe as ne e as ata në momente të caktuara nuk kemi çfarë të bëjmë, derisa këto gjëra nuk janë në kontrollon e vullnetit tonë. Ne jemi munduar që edhe në këto raste pra për fatkeqësitë natyrore që i dëmtojnë kulturat bujqësore të bëjmë disa zgjidhje mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen finale. Zgjidhjen finale po e kërkojmë të një model i sigurimit të kulturave bujqësore, por edhe të tokave dhe pajisjeve.

Po ashtu edhe një problem tjetër është çështja e fragmentimit të tokave bujqësore, sepse nga njëra anë ne synojmë të kalojmë në stadin e bujqësisë intensive, bujqësisë moderne dhe nuk është e lehtë që të gjithë përnjëherë të dalin në këtë stad, për shkak se një pjesë e madhe e fermerëve ka parcela të vogla toke dhe është shumë e vështirë që në ato parcela të vogla të kenë profitabilitet dhe rentabilitet. Por, edhe këtu e kemi një projekt të konsolidimit të tokave më të cilin mundohemi që t’i bashkojmë ato dhe t’i jepet fermerëve një mundësi e re në mënyrë që ata të jenë profitabil dhe rentabilitet për punën që ata bëjnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri nga problemet më të mëdha që ka përcjellur Kosovën është mungesa e të dhënave statistikore. Këto të dhëna kanë munguar edhe për sektorin e bujqësisë. Vitin e kaluara Qeveria e Kosovë ka miratuar ligjin për regjistrimin e bujqësisë, çfarë ka ndodhur ka filluar regjistrimi i tokave bujqësore?

BLERAND STAVILECI
Unë i përmenda dy prej vështirësive. Vështirësi tjetër që lidhet shumë me fermerët, por në mënyrë jo të drejtpërdrejt është edhe kjo që pësojnë nga mungesa e të dhënave bujqësore. Edhe këtu ne e kemi bërë zgjidhjen sepse sivjet do të realizohet regjistrimi bujqësor, regjistrim ky i cili nuk është bërë që nga viti 1960 dhe ne përfundimisht do ta kemi pasqyrën e plotë me të dhëna të sakta për bujqësinë kosovare, pas më shumë se një gjysmë shekull.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur konkretisht do të fillojë regjistrimi i tokave bujqësore?

BLERAND STAVILECI
Pra ky vit ka qenë përgatitor edhe më herët është pilotuar në disa komuna të vendit tonë. Në nëntor të këtij viti e presim që të realizohet në tërësi, pastaj në shkurt është paraparë t’i kemi rezultatet preliminare, dhe në shtator të vitit 2014 të jenë rezultatet përfundimtare të zyrtarizuara me të cilat në do të shërbehemi prej fillimit të vitit 2015.
RADIO EVROPA E LIRË
Fermerët në Kosovë vazhdimisht ankohen për mungesë subvencione të mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës. Ata kanë theksuar se mos përkrahja e duhur po ndikon që produktet e tyre, dalin me çmimet më larta se çmimet e importit?

BLERAND STAVILECI
Ne edhe ato subvencione që sot i bëjmë edhe ato që do t’i bëjmë në të ardhmen që do të jenë të shumëfishuara krahasuar me atë që e bëjmë sot, ndoshta asnjëherë nuk do të jenë të bollshme dhe të kënaqshme.

Por, sidoqoftë ne duhet të ndalim midis dy periudhave kohore, një duke krahasuar me të kaluarën kur nuk ka pasur shumë subvencione dhe duke e krahasuar më atë sot që janë në numër më të konsiderueshëm se që ka qenë në të kaluarën dhe janë një llojë gjeneratori për motivimin e fermerëve.

Po e marrim shembull nëse deri para disa viteve ka qenë vetëm tri katër masa për përkrahje të fermerëve, sot i kemi 30 të tilla, pra jo vetëm subvencione, por edhe grante edhe investime të tjera të cilat lidhen sidomos me sistemin e ujitjes. Ne sot kemi shumë sektorë dhe nën sektorë që i përkrahim. Pra përkrahim grurin, misrin dhe kultura të tjera vajore. Kemi subvencione në blegtori në shpeztari në bletari, subvencione për farën e grurit, për fidane, dhe të tilla para tri katër vitesh ishin të pa imagjinueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Tokat bujqësore që nga paslufta janë shkatërruar në masë të madhe. Çfarë është bërë për parandalimin e shkatërrimit të tyre?

BLERAND STAVILECI
Ndoshta, kur i përmenda disa prej vështirësive, të cilat i grupova në tri më të mëdhatë, harrova ta përmendi edhe këtë, të tokës bujqësore, sepse një pjesë e madhe e problemeve dhe sidomos ky problem, ndërlidhet me shumë fusha të tjera që janë nën kompetencë edhe të ministrive të tjera, por edhe të organeve të nivelit lokal.

Nuk e them këtë për ta amnistuar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por e them që ka një numër të madh të faktorëve vendimmarrës, të cilët janë të përfshirë brenda kësaj problematike. Sado që Ministria e Bujqësisë mund të lëvizë në një drejtim, është e pamundur të bëhen zgjidhjet, nëse të gjithë nuk ecin në të njëjtën rrugë.

Ndonjëherë është e pamundur edhe për shkak të asaj nëpër çfarë kemi kaluar, sepse nuk është se toka bujqësore ka filluar të degradohet nga dje. Ne e dimë të gjithë, pra, jemi dëshmitarë që pas luftës, në mungesë të infrastrukturës ligjore, në anën tjetër, si rrjedhojë e nevojave që kanë pasur njerëzit tek ne, janë bërë shumë ndërtime – edhe ato që kanë karakter më shumë privat, por edhe të tjera që kanë karakter komercial, afarist.

Në këtë mënyrë, plot qendra të Republikës së Kosovës, sidomos qytetet e mëdha, në njëfarë forme, plot zona brenda tyre apo në periferi, janë shndërruar disi në mënyrë spontane, nëse mund të them kështu, në zona industriale, ku është degraduar toka bujqësore.

Mirëpo, unë, përsëri them që nuk është se në një pjesë të tyre mund të themi se është bërë dëm i madh, sepse njerëzit kanë jetuar nëpër shtëpi, njerëzit kanë zhvilluar veprimtaritë e tyre ekonomike dhe kanë siguruar të ardhurat nga to.

Në këtë rast, nuk dua asnjëherë t’i arsyetoj ata që kanë bërë veprime të paligjshme duke ndërtuar vend e pa vend, mirëpo, mendoj që tash, me këtë ritëm të zhvillimeve, me këtë nivel të shtuar të interesimit për t’u marrë me bujqësi, ka mundësi që përveç instrumenteve ligjore, të përdoret shumë edhe ky elementi tjetër, më shumë pra i natyrës psiko-sociologjike, që njerëzit sot janë vetëdijesuar dhe duan ta punojnë tokën, në mënyrë të sigurojnë të ardhura prej saj. Duke e ditur që nga njëra anë ka përkrahje institucionale, por edhe nga ana tjetër, duke e parë leverdinë që të merren me veprimtari bujqësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Bujqësia e cila mund të konsiderohet të jetë sektori më gjerues i zhvillimit ekonomik të një vendi , ky sektor ka një buxhet jo të mjaftueshëm që do të mund të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës?

BLERAND STAVILECI
Është e vërtetë ajo që thoni ju. Ne, pikërisht, duke u mbështetur në këto premisa dhe duke e ditur potencialin e vendit tonë, kemi dashur ta ngrejmë nivelin e vetëdijes. Kur them nivelin e vetëdijes, po e them edhe të shoqërisë edhe të institucioneve, sepse në të kaluarën njerëzit kanë qenë më shumë të orientuar nga veprimtaritë e tjera, duke e lënë disi bujqësinë anash, madje edhe duke e nënvlerësuar. Pra, deri në gjëra banale, duke krijuar paragjykime dhe shabllone të ndryshme që njerëzit i kanë demotivuar.

Ndërsa, sot ne e shohim se kjo është një mundësi reale edhe për ata që jetojnë në zonat rurale. Por edhe për ata që jetojnë në zonat urbane. Pra, qasja e re e një bujqësie moderne, ku dominon fryma e ndërmarrjes, guximi për tu marrë me një sektor, nga i cili, nëse bëhet puna ashtu si duhet, mund të ketë shumë përfitime ka filluar ta ndryshojë atë qasje.

Shtete e tjera këtë periudhë apo më mirë të themi, ndoshta, këtë klimë sociologjike, e kanë kaluar shumë më herët. Ne ja që po e kalojmë ndoshta me shumë vite vonesë, por më mirë vone se sa kurrë. Tash e shohim që edhe në rrafshin institucional, por edhe në atë shoqërorë , pra të shoqërisë kosovare në tërësi, ka shumë lëvizje pozitive.

Gjërat më nuk janë ashtu të zeza ashtu siç kanë qenë në të kaluarën. Vërtetë, ndoshta nuk më takon mua ta them, por ka mjaft ndryshime pozitive, por në anën tjetër mbesin edhe shumë gjëra për tu bërë e që janë rezultat i gjithë atyre problematikave që po i përmendim edhe sot, por që presim që në të ardhmen, me këtë rritje, po ashtu edhe me rritjen e buxhetit nga fondet publike të qeverisë, me një qasje më të lehtë të fermerëve në institucionet financiare, pra, ne tregun financiar, po ashtu edhe kthimin e vëmendjes dhe të një riorientimi të njerëzve nga bujqësia apo edhe atyre që kanë kapital privat, të cilët në të kaluarën ose e kanë përdorë ose nuk e kanë përdorë në veprimtari të tjera, mund ta orientojnë nga bujqësia.

Sepse, e shohim ne nga vlerësimet që kemi bërë, jo me shumë investime ne kemi krijuar mjaft vende të reja të punës. Kemi pasur një raport për vitet 2007 – 2011, ku kemi krijuar më shumë se 2 mijë vende pune. E kemi vitin e kaluar që janë po ashtu, pothuajse, numër i njejtë dhe presim që gjatë këtij viti, me programin, i cili do të realizohet, të jemi diku edhe rreth mbi 3 mijë të tjera.

Pra, po flasim për një periudhë jo shumë të gjatë dhe të krijohen rreth 7 mijë e 500 vende pune, nuk është e lehtë. Për më shumë, kësaj i shtohet vlera dhe rëndësia nëse këtë e vëmë në proporcion se sa është investuar dhe sa vende të punës janë krijuar. Të gjithë këta tregues dëshmojnë edhe për lëvizjet pozitive që po bëhen, por edhe një herë e etiketojnë fushën e bujqësisë si njërën nga fushat ku më së shumti mund të ketë gjenerime të vendeve të reja të punës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG